Koçiu: Rritje pagash me 20 mijë lekë për mjekët e përgjithshëm dhe 15 mijë lekë për infermierët

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi sot se pagat e mjekëve të përgjithshëm në gjithë sektorin e shëndetësisë do të rriten nga 1 korriku me 20 mijë lekë mbi pagën ekzistuese dhe për të gjithë infermierët me 15 mijë lekë mbi pagën ekzistuese.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Koçiu tha se “vendimi i sotëm vazhdon të rrisi akoma më shumë pagat dhe shpërblimet për punonjësit e shëndetësisë”.
“Siç kundër filloi në vitin 2023 me një rritje historike të mjekëve specialistë me 50 mijë lekë mbi pagën e tyre ekzistuese, vijon edhe këtë vit me vendimin më të fundit të qeverisë për të rritur pagat e mjekëve të përgjithshëm në gjithë sektorin e shëndetësisë me 20 mijë lekë mbi pagën ekzistuese dhe të gjithë infermierët me 15 mijë leke mbi pagën ekzistuese. Një premtim i mbajtur ky i qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama të cilin ka theksuar fort që nga pikënisja që dot kemi një përmirësim të kushteve dhe të respektimit të dinjitetit dhe figurës së mjekut për ta vendosur atë në pozita të barabarta me të gjithë profesionistët e sistemit shëndetësor në vendet europiane dhe ne pikërisht për këtë po punojmë”, theksoi Koçiu.
Ministrja Koçiu bën me dije se “nga vendimi i sotëm përfitojnë 20 mijë punonjës të sistemit shëndetësor. Nuk janë vetëm mjekët dhe infermierët, por janë dhe punonjësit e administratës së sistemit shëndetësor të cilët gjithashtu përfitojnë një rritje 15-20% të pagës së tyre aktuale”.
“Patjetër që kjo rritje pagash shkon paralelisht edhe me përmirësimin e infrastrukturës dhe me përmirësimin e pajisjeve në dispozicion të mjekëve dhe infermierëve të cilët vazhdojmë t’i mbështesim, vazhdojmë që t’i suportojmë sa i përket punës shtyre të përditshme duke ditur që bëjnë një punë fantastike, bëjnë një punë dinjitoze, që bëjnë një punë me energji të jashtëzakonshme dhe për të cilën nuk duhet të njollosin situata si ajo e djeshme të cilat për hir të të vërtetës nuk bëjnë krenar askënd nga ne”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu u shpreh se “besojmë fort që sistemi i shëndetësisë nuk ka figura të shëmtuara si ajo që pamë dje. Ka profesionistë që punojnë çdo ditë me integritet dhe me moral dhe jemi besimplotë që këto figura profesionistësh do duhet të mbështetën akoma më shumë për t’u shërbyer njerëzve dhe prandaj kemi marrë zotimin për të rritur dhe për të përmirësuar akoma më shumë kushtet e punës ku në çdo spital publik dhe çdo qendër shëndetësore ku këta profesionistë punojnë”.
/k.s/