E Enjte, 5 Nëntor 2026

Koçiu ndan apelin e moderatores Genta Popa: Kontrolli, e vetmja mënyrë për të parandaluar kancerin e gjirit

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Moderatorja e njohur, Genta Popa i është bashkuar thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për ndërgjegjësimin mbi luftën kundër kancerit të gjirit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot mesazhin e Genta Popës, teksa thekson se, “së bashku, po e përçojmë mesazhin që zbulimi i hershëm shpëton jetë dhe çdo grua duhet të kryejë kontrollet e nevojshme shëndetësore”.

Popa apelon gratë për të kryer kontrollet si e vetmja mënyrë për të parandaluar sëmundjen.

“Kur realizova dokumentarin lufta për jetën këtu në Top Channel si një sensibilizim për gratë e prekura nga kanceri i gjirit, intervistova disa prej tyre në faza të ndryshme të sëmundjes. Ishin në fakt rrëfime shumë të dhimbshme, sigurisht, por edhe të guximshme, kurajoze dhe me shpresë”, tha Popa.

“Për fat të keq”, u shpreh moderatorja, “njëra prej këtyre grave sot nuk është më me nesh. Ajo ishte një rast shumë i vështirë, sepse e kishte kapur shumë vonë sëmundjen”.

“E ndërsa numri i grave që preken nga kjo sëmundje rritet nga viti në viti, tashmë është vërtetuar se vetëm kontrolli është e vetmja mënyrë për të parandaluar të keqen duke e luftuar atë sa më herët”, tha Popa.

“Le t’i kujtojmë njëra-tjetrës që mes shumë punëve që kemi në përditshmëri të bjëmë sa më parë një kontroll të gjirit sot, nesër këto ditë, këtë muaj, e më tej, për të shpëtuar veten, familjen dhe shoqërinë”, u shpreh ajo.

“Kontrollohu rregullisht dhe përqafojë fort jetën tënde”, apeloi moderatorja Genta Popa. /a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›