“Kodi i ri Penal cenon ekonominë”, Aleanca e Profesionistëve të Lirë kërkon shfuqizimin e disa neneve

Diskutimet dhe debatet mbi Kodin e ri Penal që pritet të miratohet në muajt në vijim do të jetë një nga çështjet më me interes, lidhur me një sërë risish që këto ndryshime sjellin në disa sektorë të vendit.
Disa ndryshime lidhen edhe me aspektin ekonomik, që për shumë ekspertë nëse miratohen sikundër janë propozuar cenojnë lirinë ekonomike në treg.
Në këto kushte Aleanca e Profesionistëve të Lirë i ka dërguar një letër ministrit të drejtësisë ku i kërkon që të ketë në konsideratë disa rishikime, pasi propozimet ndërhyjnë në tregun e lirë.
“Neni 537 i projekt-ndryshimeve në Kodin Penal, që parashikon ndëshkime për “tarifa të papërshtatshme të shërbimit”, duhet të rishikohet me prioritet. Në një ekonomi tregu, çmimet përcaktohen nga marrëdhënia kërkesë – ofertë dhe natyra e shërbimit, jo nga sanksione penale. Vetë nocioni “tarifë e papërshtatshme” është juridikisht i paqartë dhe nuk mund të përbëjë objekt të së drejtës penale, përveç rasteve të provuara të mashtrimit ose fiktivitetit. Përfshirja e tij në Kodin Penal rrezikon të penalizojë padrejtësisht ofrues shërbimesh, duke ndërhyrë në mënyrë të panevojshme në marrëdhënie kontraktuale që tradicionalisht trajtohen nga e drejta civile ose administrative”, shkruhej në letër.
Po propozimet në Kodin e ri Penal parashikojnë që në rast shkeljesh, për disa lloj abuzimesh propozohet dënim me burg, përveç penalitetit. Kjo situatë për ekspertët e fushës do të cenojë marrëdhëniet mes administratës dhe tatimpaguesve.
“Neni 604 i projektit parashikon se mospagimi, brenda afatit ligjor, i detyrimeve tatimore të vetëdeklaruara përbën kundërvajtje penale, e dënueshme me gjobë ose burgim deri në një vit. Ky është një zgjerim i konsiderueshëm i ndërhyrjes penale në marrëdhënie fiskale, pasi situata të tilla kanë qenë më parë objekt i procedurave administrative ose civile. Penalizimi penal i mospagimit, pavarësisht nëse buron nga pamundësia objektive (p.sh., pagesa të vonuara nga klientët apo institucionet publike) apo nga harresa, nuk dallon mes qëllimit për shmangie dhe vështirësive reale të tregut. Një qasje e tillë cenon parimin e proporcionalitetit dhe mund të dëmtojë bashkëpunimin ndërmjet tatimpaguesve dhe administrates”, thuhej më tej.
Kjo është letra e dytë me propozime që Aleanca e Profesionistëve të Lirë i dërgon qeverisë ku kërkon bashkëpunim dhe dialog për çështjet që shqetësojnë tregun.
Disa propozime i janë drejtuar edhe ministrit të financave për të riparë politikat fiskale të pasurive të patundshme. /vizionplus.tv