Koeman tani ndjen presionin: Jemi të detyruar të fitojmë

Ronald Koeman, trajneri i Barcelonës, foli në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes kundër Real Valladolid: “Kemi shumë mungesa dhe te Barça duhet të fitojmë, të luftojmë për tituj: kjo është arsyeja pse kjo është një situatë e komplikuar. Ne duhet të fusim shumë lojtarë të rinj dhe kemi nevoja për kohë. Çdo ndeshje që nuk e fitojmë është një hap prapa. Problemi nuk është barazimi në shtëpi kundër Valencia, problemi është që ne kemi humbur shumë pikë dhe shumë ndeshje jashtë. Ne nuk mund të dështojmë, është një presion për ekipin”.
Fjalët e Messit: “Nuk është e nevojshme që Leo të bëjë një intervistë për të përsëritur disa gjëra, sepse unë e shoh atë çdo ditë. Një lojtar fitues si ai ndihet keq kur nuk fiton. Nuk e di nëse fjalët e tij kanë një efekt pozitiv, ekipi është shumë i bashkuar, punon por është i pakënaqur me rezultatet. Vitamina më e mirë është të fitosh. Leo punon për t’u përmirësuar, si të gjithë të tjerët”.
VAR nën akuzë: “Unë nuk i kuptoj kriteret e VAR, ka gjëra që nuk kuptohen. Nëse pyesim 10 persona nëse dje ka pasur një penallti, nëntë do të thonë po. Por gjyqtari ka vendosur të mos e sinjalizojë”.