Kolaps total i rrjetit elektrik në Kubë/ Miliona njerëz pa energji, OKB-ja jep alarmin

Rrjeti elektrik i Kubës pësoi një kolaps të plotë ditën e premte rreth orës 14:00 sipas orës lokale, duke e zhytur të gjithë kombin në errësirë dhe duke lënë miliona banorë pa energji elektrike. Sipas autoriteteve vendase, goditja e radhës ndaj sistemit energjetik erdhi si pasojë e një defekti në linjat e transmetimit me tension të lartë në pjesën qendrore të vendit.
Kjo është shkëputja e gjashtë e përgjithshme ose e pjesshme e rrjetit që nga muaji janar, një situatë e përkeqësuar ndjeshëm nga infrastruktura e vjetëruar dhe mungesa e theksuar e karburantit si pasojë e bllokadës së naftës të vendosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Zyrtari i Unionit Kombëtar të Elektricitetit të Kubës (UNE), Felix Estrada, konfirmoi se janë aktivizuar menjëherë të gjitha protokollet për restaurimin e sistemit. Megjithatë, për banorët e mësuar me ndërprerje që zgjasin 30 orë e më shumë, përballja me mungesën e energjisë mbetet e papërballueshme.
“Dje kisha mbetur pa energji elektrike për 24 orë. Ata i ndezën dritat për një orë dhe pastaj rrjeti u shemb përsëri”, u shpreh Frank Lorenzo, një banor 23-vjeçar nga Havana.