Kolegji Zgjedhor rrëzon paditë e PD-ASHM për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në katër qarqe

Kolegji Zgjedhor Gjyqësor ka rrëzuar të mërkurën paditë e ngritura nga koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM), të cilat kërkonin shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të zhvilluara më 11 maj në qarqet Lezhë, Gjirokastër, Kukës dhe Korçë.
Me vendime të veçanta, Kolegji vendosi rrëzimin e kërkesave të PD-ASHM për pavlefshmërinë e rezultateve dhe përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare në të gjitha këto qarqe. Vendimet theksojnë se paditë ishin “të pambështetura në ligj e prova”.
Në detaje, Kolegji Zgjedhor rrëzoi:
- Padinë ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qarkun Lezhë.
- Padinë për konstatimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në qarkun Gjirokastër dhe kërkesën për përsëritjen e tyre.
- Padinë për konstatimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në qarkun Kukës dhe kërkesën për përsëritjen e tyre.
- Padinë për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qarkun Korçë dhe kërkesën për përsëritjen e tyre.
Përveç këtyre, Kolegji Zgjedhor vendosi edhe pushimin e çështjes së paraqitur nga Shkëlqim Shehu, kandidat për deputet i PD-ASHM në qarkun e Kukësit, për shkak të mungesës së legjitimitetit të paditësit.
Këto vendime të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor mbyllin një fazë të rëndësishme të kontestimeve post-zgjedhore, duke konfirmuar vlefshmërinë e procesit të 11 majit në qarqet e lartpërmendura.
/rtsh.al/