E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolegji rrëzon PS, Basha fitues i Tiranës me 81 vota

kolegji zgjedhor duke dhene dje vendimin

Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesë-padinë e Partisë Socialiste për shpalljen të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së për hapjen e kutive dhe lë në fuqi vendimin që nxjerr Lulzim Bashën fitues me 81 vota në garën për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.Pas një dite maratonë, që nisi në orën 10:00 dhe përfundoi afër orës 21:00, Gjykata, e përbërë nga pesë gjyqtarë, pushoi gjykimin e çështjes lidhur me kërkesën e PS-së për të anuluar të gjitha vendimet e KQZ-së. Përfundimisht, Kolegji Zgjedhor, pasi dëgjoi palët në proces, administroi provat e paraqitura prej tyre. Në zbatim të nenit 158, pika 2 dhe 3 të Kodit Zgjedhor, vendosi: Rrëzimin e kërkesë-padisë së palës paditëse Partia Socialiste e Shqipërisë përsa i përket kërkesës për konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të Vendimit Nr. 709, datë 23.5.2011, palës së paditur KQZ në Tiranë. Pushimin e gjykimit të çështjes lidhur me kërkimin për anulimin e vendimeve të ndërmjetme të nxjerra nga pala e paditur, KQZ. Ky vendim është i formës së prerë, u shpall në Tiranë datë 3.6.2011. Me kaq seancën e deklaroj të mbyllur, u shpreh relatori i çështjes, Tom Ndrecaj në përfundim të një seance gjyqësore që nisi me ditë dhe përfundoi me natë.
Argumentet
Seanca nisi në orën 10:00 të mëngjesit, ku përveç avokatëve të PD-së, PS-së dhe KQZ-së, vihej re një numër i madh të interesuarish që donin ta ndiqnin nga afër atë. Fillimisht ishin përfaqësuesit e PS-së që, teksa parashtruan argumentet e tyre, u ndalën në dy drejtime: së pari, akti i miratuar nga KQZ-ja për hapjen e kutive dhe numërimin e votave në kutinë e gabuar ishte normativ dhe, si i tillë, duhej miratuar me pesë vota dhe, së dyti, KQZ-ja nuk mund të merrte funksionet e KZAZ-së dhe të ndryshonte tabelat që kishin ardhur nga grupet e numërimit. Vendimi i KQZ-së nuk ka mbështetje ligjore. Me nxjerrjen e këtij vendimi KQZ ka vendosur rregulla të reja sjelljeje. Vendimmarrja në vite ka qenë e ndryshme. Fletët e votave të hedhura në kutinë e gabuar më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor janë cilësuar të pavlefshme. Arsyetimi i përdorur për të rinumëruar këto vota është në kundërshtim me ligjin, u shpreh Eno Bushi i PS-së. Leximi i kërkesës së PS-së zgjati rreth një orë e 20 minuta dhe për këtë arsye gjyqtarët kërkuan 15 minuta pushim. Dëshira Pasko, përfaqësuese e KQZ-së, hodhi poshtë argumentet e socialistëve lidhur me faktin se akti ishte normativ. Sipas saj, pretendimi se Vendimi 709 është një akt normativ, është i pabazuar. Në Vendimin Nr. 709 u vlerësuan votat për nëntë KZAZ-së në Bashkinë Tiranë. Në KZAZ-në 45 nuk u paraqit asnjë kërkesë për vlerësimin e këtyre votave. Vendimi 709 nuk vendos rregulla me karakter të përhershëm, por shqyrton kërkesat individuale të disa KZAZ-ve. Pasko tha gjithashtu se KQZ-ja e ka kryer edhe më parë rolin e KZAZ-së kur ka regjistruar kandidatët për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Në të njëjtën linjë me qëndrimin e KQZ-së ishte edhe Partia Demokratike. Ivi Kaso, avokati i PD-së, tha se Vendimi 709 nuk është një akt normativ që të kërkojë pesë vota. Akti u drejtohet njerëzve të identifikuar. Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka vlerë vetëm për KQZ-në dhe jo për KZAZ-të, siç u pretendua. Nga ana e tyre, gjyqtarët e çështjes insistuan disa herë me pyetjet e tyre për indiciet që e çuan KQZ-në të ndërmerrte këtë vendim. Sipas përfaqësueses së këtij institucioni, KQZ-ja u vu në lëvizje pas kërkesave të ardhura nga KZAZ-të, të cilat evidentonin se kishin gjetur një numër të madh votash ku qytetarët kishin shprehur qartë vullnetin e tyre, por ato ishin hedhur në kutinë e gabuar. Më fund të seancës maratonë rreth 4 orë, ku u parashtruan argumentet e PS-së, PD-së dhe KQZ-së, trupa e gjyqtarëve kërkoi të administronte si provë edhe tabelat e rezultateve të ardhura nga KZAZ-të, pasi ishte mbyllur procesi i numërimit në kutinë për kryetarin e Bashkisë. Për shkak se administrata e KQZ-së nuk i kishte me vete këto tabela, u la që mbledhja të vazhdonte në orën 17:00, me paraqitjen e tyre. Me fillimin e seancës, e cila zgjati vetëm 10 minuta, ku palët parashtruan edhe njëherë kërkesat e tyre, PS-ja dorëzoi edhe një letër që kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i kishte dërguar selisë rozë përpara zgjedhjeve. Në këtë letër thuhej se KQZ-ja, dhe jo KZAZ-ja do të jetë institucioni që do të regjistrojë kandidatët për Tiranën. Pas 3 orë e 45 minuta mbledhje, pesë gjyqtarët dolën para palëve të interesuara dhe mediave ku dhanë vendimin, i cili në sallë u prit qetësisht, ndërsa në korridore të gjithë ishin duke folur në telefon për të komunikuar këtë vendim të fundit.

Festime në Tiranë për fitoren e Bashës

Menjëherë pas vendimit të Kolegjit për të rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste, militantë të PD-së dolën në rrugët e kryeqytetit për të festuar fitoren e Lulzim Bashës. Me flamuj, makina dhe bori ata iu drejtuan qendrës së Tiranës dhe më pas shkuan në selinë e PD-së ku do të fliste kandidati fitues. Rreth orës 22:00 u hodhën edhe disa fishekzjarrë pranë selisë së demokratëve.

Argumentet e PS-së

Vendimi Nr. 709 i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është akt normativ dhe, si i tillë, ai duhej të miratohej me pesë vota. Në mbledhjen e 23 majit ky akt mori katër vota pro dhe tre kundër.

KQZ-ja ka vendosur rregulla të përgjithshme sjelljeje me karakter normativ për mënyrën se si duhen vlerësuar fletët e votimit të pavlerësuara dhe të panumëruara që nuk janë hedhur në kutitë respektive të votimit.

Vendimi i KQZ-së për të hapur kutitë ku ishin hedhur votat në kutinë e gabuar nuk kishte asnjë bazë ligjore.

KQZ-ja nuk ka të drejtë të ndryshojë tabelat e ardhura nga KZAZ-të, por vetëm të bëjë mbledhjen matematikore të tyre.

Më parë KQZ-ja dhe Kolegji i kanë cilësuar të pavlefshme votat në kutinë e gabuar.

KQZ-ja nuk mund të jetë në asnjë rast KZAZ.

Argumentet e KQZ-së

Pretendimi se Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Nr. 709, i datës 23 maj 2011, është akt normativ dhe duhet të votohet me pesë vota, është i pabazuar.

KQZ-ja, në rolin e KZAZ-së së madhe të Tiranës, u vu në lëvizje pasi nga shumë KZAZ u paraqit shqetësimi se ishin gjetur fletë votimi ku qytetari e kish shprehur vullnetin e tij, por ishin në kutinë e gabuar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer funksionet e KZAZ-së së madhe të Tiranës edhe në rastin kur janë regjistruar kandidatët për kryetarë të Bashkisë dhe kur janë paraqitur listat për Këshillin Bashkiak.

Vota e hedhur në kutinë e gabuar nuk e bën këtë fletë votimi të pavlefshme.

Argumentet e PD-së

Vota e hedhur në kutinë e gabuar sipas Kodit nuk e bën atë të pavlefshme dhe zgjedhësi nuk është fajtor.

Vendimi 709 nuk është një akt normativ që të kërkojë pesë vota.

Akti i drejtohet njerëzve të identifikuar. Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka vlerë vetëm për KQZ-në dhe jo për KZAZ-të, siç u pretendua.

Nuk ka ndryshuar asnjë rregull i lojës dhe ky pretendim i palës paditëse nuk qëndron.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bë si KZAZ si në rastin e regjistrimit të kandidatëve për Bashkinë e Tiranës.

Tom Ndreca

Tom Ndreca ishte personi më aktiv në Kolegj, por edhe më me humor. Batutat e tij ishin për të dyja partitë, por edhe autoironi, siç ishte një rast kur i ranë syzet në tokë: “Mosss! Më duket se m’u thyen. Do të thonë pastaj që e lexoi vendimin gabim Toma, se nuk pa mirë”. Ndërsa avokatëve të PS-PD vazhdimisht u thoshte në dialekt: “Keni t’gjithë drejtën e Zotit me fol. Ju t’njëri-tjetrit jeni, flisni”.

Debati në seancën e Ko

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›