Koleksionet e
• Agron GjekmarkajPërfytyrimi ynë për gjithë ata personalitete që sot i gjykojmë si shtetformues apo nacionaliste ose mirëfilli si kulturologë është i paplotë. Duke qenë të njëanshëm në ndërtimin e historisë jemi ndalur tek ato elemente që “prodhojnë” histori më shumë dhe më shpejt. Gjykimi ynë i përgjithshëm vuan nga një përmasë relative vlerësimi, që i ka rrënjët tek emocionet ideologjike kryekëput të ndryshme. Një qasje e tillë me një “ëndje” kësodore lë në qoshe aspekte, pasione dhe kontribute befasuese të këtyre personazheve të denja për studim dhe njohje në lartësinë ose edhe më sipër të investimit të tyre patriotik.Një personazh galant mbetet Lef Nosi, të cilin jemi mësuar ta shohim në faqet e shtypit si ministri i qeverisë së parë kombëtare, aktivisti i çështjeve shqiptare apo regjenti i pushkatuar nga regjimi komunist. Pas pretencës së prokurorit që e dënon Lef Nosin me vdekje, ai i drejtohet një të njohuri aty pranë me fjalët “amanet pullat”, një ushtar i skuadrës së shoqërimit që me gjasë nuk dinte se ç’janë pullat e merr këtë fjalë si variant dialektor të fjalës pulë dhe i thotë: “hajde, hajde, ç’budalla, ty po të ikën koka e ke hallin e pulave”. Ai po ikte në botën tjetër mbi të gjitha i pasigurt për fatin e koleksioneve të tij, dikur të famshme. Libri “Rrno vetëm për me tregue” na e konfirmon këtë pohim, i cili merr valence vërtetësie akoma më shumë nëse shihet në kontekst me ngjarjet politike, të cilat kërkonin dhe morën jetën e Lef Nosit. “Ndërsa Lef Nosi, nji zotni i mbajtun që nuk e kishte shokun nder shqiptarë, nuk tundej fare: un thonte, nuk i kam ba keq kurrkuj: gjithmonë në jetën time kam ba veç mirë, prandaj as komunistat, as kurrkush tjetër nuk kanë pse më kërkojnë llogari, dhe vazhdonte i qetë tue kontrollue koleksionin e fundit të pullave të postes, e me një lentë të madhe kqyrte a kishin dalë mirë e kjartë gërmat e vulave postare ma të fundit”. Lef Nosi shquhet për disa tipe koleksionesh, por mendohet që tre prej tyre janë më të rëndësishmit dokumentet historikë të të gjitha llojeve, pullat postare, pra filatelia dhe monedhat e vjetra, numizmatika pastaj vijnë me rrallë koleksionet etnografike, arkeologjike etj. Ai ruante dokumentin origjinal të shpalljes së Pavarësisë, të cilin e boton po Nosi për herë të parë në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të vetëqeverimit, por pastaj ky dokument nuk është gjendur më. Një hipotezë që mund të merret në konsideratë është ajo që kur shtëpia e tij bastisej “rastësisht” bastisësit mund të kenë qëlluar pa edukatën e duhur historike dhe nuk kanë ditur vlerën e gjërave që kishin në duar, mund ta kenë djegur atë me një pjesë të arkivit që ai mbante aty. Kujdesi i tij për “certifikatën e lindjes” së Shqipërisë nuk kishte parashikuar këtë. Një tjetër fakt interesant që na shëmbëllen si ironi e fatit është se koleksioni i plotë i trakteve të Luftës së Dytë Botërore, që më vonë është përdorur nga muzeumet si arkiv i PKSH, është gjetur pikërisht aty. Ne tani ndeshemi me dëshmi të shumta, të cilat pohojnë cilësinë e këtyre koleksioneve, por fatkeqësisht koleksionet janë zhdukur dhe për rrugëtimin apo vendndodhjen e tyre qarkullojnë variante të ndryshme.Sipas dëshmive të At Zef Pllumit, nga fillimi i vitit 1944, Lef Nosi parandiente se lufta ishte e humbur për fuqitë e boshtit dhe që pushtetin në Shqipëri do ta merrnin komunistët, atëherë i pasigurt për koleksionet e veta me bindjen se ato mund të ishin të paprekshme në arkivin françeskan i dërgon atje, kryesisht dokumente origjinale me vlerë të madhe historike. Mirëpo koha i përgënjeshtroi besimin dhe hamendjet e tij. Në vitin 1946 arkiva Françeskane sekuestrohet dhe sipas dëshmive të Injac Zamputit, një pjesë e madhe e këtij arkivi transferohet për në Jugosllavi nga porti i Shëngjinit. Lef Nosi natyrisht nuk ishte një person i panjohur për jugosllavet dhe dihej gjerësisht në Ballkan që koleksioni i tij i dokumenteve historikë është më i miri në Shqipëri dhe kemi të drejtë të mendojmë që ata të kenë përzgjedhur pjesën e tij kryesore me kujdes dhe vëmendje ndaj hollësive. Një pjesë tjetër gjendet në Arkivin e shtetit shqiptar, por bindja e specialistëve është se aty nuk janë gjërat më të rëndësishme. Një hipotezë e pakonfirmuar nga fakte mbetet ajo e transferimit të një pjesë të koleksioneve të veta në Kroaci, ku kishte disa miq historianë me dëshirën e tij rreth vitit 1943 me qëllimin e ruajtjes më të mirë deri në përfundimin e luftës. Siç e dimë, në qeverinë e parë shqiptare Lef Nosi qe ministër i Postave dhe Telekomunikacionit, ndoshta ky post duhet të ketë qenë një përkim politik sesa të jetë lidhur me pasonin e tij për pullat. Dëshmitarë të shumtë që kanë pasur rastin të shohin koleksionin e tij të filatelisë arrijnë në konkluzionin që në Shqipëri padyshim ishte më i miri, por mbase i tillë mund të konsiderohej edhe në nivel ballkanik e më gjerë. Dëshmohet që në të gjendeshin pullat më të vjetra të perandorisë Osmane e natyrisht edhe ato të mëvonshmet, të perandorisë Austro-Hungareze, të shteteve italiane dhe të mbretërisë së Italisë, të Greqisë, Jugosllavisë si dhe të shumë vendeve të tjera perëndimore pa harruar këtu edhe pullat shqiptare që nga 1912-1944, ku sigurisht të parat u bënë me porosinë e tij. Përveç dashurisë për pullat, Nosi ishte mjaft i interesuar për natyrën e vulave mbi pulla e njëkohësisht, mund të thuhet se ai kishte ndërtuar edhe një koleksion vulash. Por fatin e këtij koleksioni nuk ka asnjë version zyrtar, mbi të ka vetëm zëra.Nosi deri në ditët e fundit para arrestimit vazhdonte ta kryente me përkushtim punën e koleksionistit ç’ka na bën të mendojmë se koleksionin ai e kishte në Shqipëri dhe këtë koleksion ai s’e kishte dërguar tek françeskanët siç kishte vepruar me dokumentet historikë. Madje edhe gjatë ditëve, kur fshihej në kuvendin françeskan hulumtonte dhe interesohej për pullat që gjendeshin aty. Më e mundur është që ky koleksion të jetë sekuestruar nga forcat partizane, por ai nuk gjendet ndër arkivat që na lanë apo që trashëgojmë, ky fakt na lë të dyshojmë që dikush që ia ka njohur vlerën dhe ka pasur pushtetin e nevojshëm për të mbuluar gjurmët, e ka përvetësuar atë. Ky koleksion të paktën deri në vitin 1990 ka qenë i fshehur në vendin tonë. Mbetet për të kërkuar se kush është ky individ që pasuron vetveten, merr punën e tjetrit në mënyrë të pandershme dhe varfëron filatelinë shqiptare?Nuk është tepri po të themi që Lef Nosi është një “humbës i madh” po të kemi parasysh që edhe një tjetër koleksion, ai i monedhave të vjetra është zhdukur “pa nishan” edhe për këtë ka vetëm gojëdhëna, të cilat na e sjellin si shumë të pasur me monedha që nga kohët antike e deri në bashkëkohësinë e tij. Sipas revistës “Koleksionisti” e cila citon filatelistin e njohur shqiptarë Hysen Vendresha, që ka thënë “kur isha në Itali në vitin 1940, në vitrinat e Raybaudit, në një vend të dukshëm, ishte vendosur dhe shitej një ekzemplar me 50 piastra të serisë së tretë të vitit 1913. Bashkë më të ishte edhe një shënim i dukshëm, ku përveç një çmimi fantastik, thuhej se autenticiteti i kësaj cope të rrallë garantohej me firmën e Lef Nosit”. Një pohim kësisoj na lë të kuptojë se Nosi kishte fituar famë edhe jashtë vendit për koleksionet e tij, aq sa emri i tij ishte një garanci për besueshmëri. Në arkivin shtetëror gjinden mjaft fletë në të cilat ai shkruan se si duhet të trajtohen paratë e vjetra, me hollësi përshkruan procesin e trajtimit të tyre kimik si dhe klasifikimin e tyre. Për ketë koleksion mungojnë edhe hamendjet se ku gjendet, është mbuluar me mister. Gjithashtu, Nosi mblidhte edhe armë të vjetra, gjetje arkeologjike apo sende me vlerë etnografike si veshje të krahinave të ndryshme të përdorura në periudha të caktuara historike që kanë humbur ose që pas luftës janë bërë pjesë e muzeve duke humbur autorësinë. Shumë atribute i janë njohur dhe mohuar Lef Nosit, por ai do të jetë përjetësisht i paqetë nëse nuk i njohim atij meritën e pionierit të filatelisë, ndoshta edhe të numizmatikës, por mbi të gjitha atë të koleksionistit “par ekselencë” në racën e shqiptarëve.