Koleksioni 40-vjeçar i skenografit Pano Kondo
Ai punon gjithmonë pas skenës, por këtë radhë vendosi që të dalë në skenë me ekspozitën vetjake që sjell punimet e një karriere 40-vjeçare. Skenografi Pano Kondo çeli dje në Muzeun “Mezuraj” koleksionin me 200 vepra të realizuara në 40 vjet karrierë.
“Unë nuk jam njeri mediatik. Aq më tepër ne skenografët që punojmë pas skene na kanë quajtur heronjtë e heshtur. Unë nuk kam punuar me ambicien për të çelur një ekspozitë, por kam punuar me ambicien për të gjetur rrugën e artit. Ka elementë mjaft pozitivë skenografia, që unë i kam shprehur edhe në pikturë, duke i dhënë pikturës pikërisht ngjyrat e skenografisë. Për mua piktura është një punë mjaft e dashur”. Për studiuesin Moikom Zeqo, arti piktoresk është i frymëzuar nga skenografia, gjë që duket në gjeometrinë dhe simbolizimin e detajeve. Është një art, i cili është mes realizmit dhe ekspersionizmit, mes vizatimit e ngjyrës. “Do ta cilësoja një art kolorist për vetë ngjyrat, peizazhet, kombinimet dhe portretet”. Ndërsa për piktorin dhe studiuesin Abaz Hado, kjo ekspozitë është një fakt që shpalos vlerat e vërteta që nuk bërtasin, por me modestinë e piktorit shfaqen në këtë ekspozitë.