E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kombëtarja serbe në Tiranë, do njihet me fushën para ndeshjes të së shtunës. Qytetarët: Jemi vetëm për futbollin, jo çështjet politike

Kombëtarja e Serbisë ka mbërritur në Tiranë për ndeshjen e së shtunës kundër Shqipërisë në Arenën Kombëtare, për Grupin K të kualifikueseve të Botërorit 2026.

Avioni me skuadrën serbe u ul në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” rreth orës 13:00 të së premtes, mes masave të forta të sigurisë në Rinas dhe në zonën përreth.

Ka pasur prani të shtuar të policisë krahasuar me ditët e zakonshme në Rinas, për garantimin e sigurisë së ekipit serb e për të shmangur ndonjë incident të mundshëm.

Pas përfundimit të shpejtë të procedurave, dy autobusët me stafin teknik dhe lojtarët e kombëtares serbe kanë lënë aeroportin nën shoqërimin e makinave të policisë për të mbërritur në kryeqytet.

Në programin e së premtes të skuadrës serbe është parashikuar një konferencë për shtyp me trajnerin dhe një lojtar në orën 17:30, në mjediset e Arenës Kombëtare. Më pas, në orën 18:00, kombëtarja serbe do të dalë në stërvitje në fushën ku do të luhet ndeshja e së shtunës.

Ndeshja Shqipëri–Serbi ka ndezur atmosferën në kryeqytet. Shumë qytetarë shprehën për RTSH interesin e tyre për ta parë atë.

Ata thonë se e duan ndeshjen të luhet vetëm brenda kornizës së fushës, duke lënë mënjanë çështjet politike.

“Jemi vetëm për futbollin,” thotë një qytetar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›