Komisioneri për Zgjerimin në BE Olli Rehn uron Kryeministrin Berisha për riemërimin si Kryeministër i Shqipërisë
Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, z.Olli Rehn, uron Kryeministrin Berisha për riemërimin e Tij si Kryeministër i Shqipërisë dhe për miratimin e Qeverisë së re.
Në këtë mesazh zoti Rehn shprehet:
"Shkëlqesia Juaj,
Dëshiroj t’Ju uroj për rizgjedhjen tuaj si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë.
Shqipëria ka treguar gatishmërinë e saj për ecjen përpara drejt rrugës së Integrimit Europian. Marrëveshja e Stabilizim - Asociimit ka hyrë në fuqi dhe po zbatohet mirë. Ju keni aplikuar për anëtarësim në BE. Gjithashtu, progres i mirë është arritur në plotësimin e standardeve për liberalizimin e vizave, por nevojiten përpjekje të mëtejshme. Komisioni mbetet i angazhuar për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
Tani që zgjedhjet u përmbyllën, në përputhje më pjesën më të madhe të angazhimeve të OSBE-së, përpara keni sfida të rëndësishme, në mënyrë që të përparohet me axhendën e reformave. Parlamenti dhe Kryeministri kanë një rol thelbësor në këtë kontekst. Ju inkurajoj Ju, i dashur z.Kryeministër, si edhe qeverinë tuaj të re, të punoni së bashku me opozitën në parlament, në çuarjen përpara të axhendës së reformave europiane. Shpresoj që të gjithë liderët politikë të sigurojnë zhvillimin e një dialogu politik konstruktiv, në mbështetje të këtyre reformave. Pres që ky dialog i rivendosur të reflektohet në zgjedhjet e ardhshme, në përputhje me rekomandimet e OSBE-së.
I takon Shqipërisë të tregojë aftësinë e saj në kalimin në fazën tjetër të integrimit në BE, në veçanti duke përmirësuar shtetin ligjor dhe fuqizimin e institucioneve demokratike. Sigurimi i pavarësisë së gjyqësorit, rritja e aftësisë administrative dhe vazhdimi i implementimit të mirë të Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit, janë elementë të rëndësishëm për arritjen e qëllimit tonë të përbashkët, afrimin e Shqipërisë me Europën.
Ju uroj sukses në përballjen me sfidat e ardhshme dhe punën drejt të ardhmes Europiane të Shqipërisë.
Juaji Sinqerisht,
Olli Rehn
17/09/2009