E Martë, 3 Nëntor 2026

Komisionet hetimore, opozita çon ligjin në Gjykatën Kushtetuese

Opozita goditi në gjykatën kushtetuese ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore. 33 deputetë të PD dhe Partisë së Lirisë kanë firmosur kërkesën për të shpallur antikushtetuese këto ndryshime dhe bie në sy se në dokument mungon firma e liderit të opozitës Sali Berisha. Sipas opozitës nëpërmjet këtij ligji mazhoranca socialiste synon  të vendosë nën kontroll  ngritjen ose jo të komisioneve hetimore.

“I bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese të jetë në lartësinë e integritetin që jep posti i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Ju kujtoj se nuk janë strukturë e PS-së por është një institucion që duhet të këtë integritetin e institucionit që përfaqësojnë”, tha Dhurata Çupi, nënkryetare e Komisionit të Ligjeve.

Komisionet hetimore janë një prej arsyeve pse opozita po bllokon mbledhjet e parlamentit prej 5 tetorit të vitit të kaluar. Në harkun kohor të dy viteve opozitës i janë refuzuar 8 kërkesa për ngritjen e komisioneve hetimore edhe pse kushtetuta saktëson se kuvendi e ka detyrim të ngrejë komisionin nëse e kërkojnë 35 deputetë të kuvendit të Shqipërisë.

Por në një kohë që opozita nisi aksionin për bllokimin e kuvendit, mazhoranca në 21 dhjetor ndryshoi ligjin për komisionet hetimore duke vendosur disa rregulla të reja që kufizojnë hapësirën e opozitës. Nëse më parë çdo anëtar i komisionit hetimor kishte të drejtë të paraqiste një provë apo të kërkonte një dëshmitar, pas këtyre ndryshimeve çdo provë apo dëshmitar duhet të marrë miratimin e shumicës së anëtarëve të komisionit, ose thënë ndryshe miratimin e partisë që ka mazhorancën në kuvend.

Për këtë arsye opozita i bëri apel presidentit të republikës të mos e dekretojë ligjin. Por kreu i shtetit Begaj edhe pse vuri në dukje se ligji përbën regres, ai firmosi hyrjen në fuqi të ligjit.

Tashmë opozitës i ka ngelur vetëm gjykata kushtetuese si hallka e fundit për të rrëzuar ligjin për komisionet hetimore. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›