Komisionet, miratohen drejtuesit socialistë
Kuvendi ka miratuar dje emrat e deputetëve socialistë të cilët do të jenë kryetarë apo nënkryetarë të komisioneve parlamentare. Në bazë të këtij vendimi, Namik Dokle caktohet në postin e nënkryetarit të Kuvendit, Valentina Leskaj kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ethem Ruka, kryetar i Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetin, Ermelinda Meksi, kryetare e Komisionit për Integrimin Evropian. Në postet e nënkryetarëve në Komisionet Parlamentare, Fatmir Xhafaj u përzgjodh për postin e nënkryetarit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Arta Dade nënkryetare e Komisionit të Politikës së Jashtme, Mimi Kodheli nënkryetare e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Ilir Gjoni në postin e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe Ilir Beqaj, nënkryetar i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Ndërsa deputetja Mimi Kodheli u zgjodh edhe anëtare e sekretariatit për buxhetin e Kuvendit, ku Erion Braçe do të jetë sekretar. Si anëtar i sekretariatit për procedurat e votimit u zgjidh Armando Subashi, Ermonela Felaj, anëtare e sekretariatit për statusin e deputetit, Fatmir Toçi anëtar në sekretariatin për kërkimin shkencor, bibliotekën dhe botimet parlamentare, ndërsa Qemal Minxhozi anëtar në sekretariatin për marrëdhëniet me jashtë. Në seancën e djeshme plenare u miratuan edhe kalendari i punimeve të Kuvendit si dhe programi i punimeve. Kalendari trejavor ndër të tjera përfshin miratimin e projektvendimit për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit si dhe projektligjin për Gjykatën Administrative, ndërsa në program i cili parashikon axhendën e Kuvendit deri në 29 korrik, përshihen rreth 11 projektligje që kërkojnë shumicë të cilësuar, ku janë një sërë kodesh, si dhe projektligji për ndarjen administrative. Disa prej tyre kanë mbetur vetëm për votim, ndërsa të tjerët edhe do të shqyrtohen në komisione.