E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisionet parlamentare Shqipëri-Maqedoni e Veriut, diskutime për mjedisin dhe klimën

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën dhe Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm zhvilluan një mbledhje të përbashkët në Strugë (Maqedoni e Veriut), në datat 12-13 maj 2026, me organizimin e OSBE-së.

Në takim morën pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, përfaqësues diplomatikë, si dhe drejtues të lartë të prezencave të OSBE-së në të dy vendet.

Diskutimet u përqendruan te sfidat mjedisore dhe klimatike, të cilat konsiderohen ndër kërcënimet më serioze të kohëve moderne, me ndikim të drejtpërdrejtë në ekosisteme, ekonomi dhe mirëqenien e qytetarëve në rajon.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shkup, Kilian Wahl, theksoi se sfidat e përbashkëta mjedisore kërkojnë përgjigje të koordinuar dhe bashkëpunim të vazhdueshëm mes vendeve. Ai nënvizoi rëndësinë e dialogut dhe shkëmbimit të përvojave, duke veçuar si pasuri të përbashkëta liqenet e Ohrit dhe Prespës, si dhe ekosistemet malore.

Ndërsa koordinatori i Aktiviteteve Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së, Bakyt Dzhusupov, u shpreh se përballja me ndryshimet klimatike kërkon angazhim të gjerë, ku rol kyç kanë deputetët, akademikët dhe shoqëria civile për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran, vlerësoi se takimi vjen në një moment të rëndësishëm, kur sfidat klimatike kërkojnë përgjigje të koordinuar. Ai theksoi rolin e parlamenteve jo vetëm në hartimin e ligjeve, por edhe në nxitjen e bashkëpunimit ndërkufitar dhe përfshirjen e komuniteteve lokale.

Nga ana e saj, kryetarja e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, Anila Denaj, nënvizoi rëndësinë e dialogut me të gjithë aktorët dhe përgjegjësinë e parlamentarëve për zbatimin efektiv të legjislacionit mjedisor.

Ndërkohë, kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, theksoi se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është thelbësor për mbrojtjen e pasurive natyrore dhe kulturore të përbashkëta, duke vënë theksin te nevoja për rritjen e ndërgjegjësimit publik për sfidat klimatike.

Gjatë aktivitetit kontribuuan gjithashtu përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të fushës, të cilët ndanë përvoja konkrete mbi sigurinë klimatike dhe menaxhimin e burimeve natyrore.

Në përfundim, pjesëmarrësit ritheksuan nevojën për forcimin e bashkëpunimit rajonal, avancimin e prioriteteve të përbashkëta për mbrojtjen e natyrës dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›