E Enjte, 5 Nëntor 2026

Komisioni Hetimor më 18 maj seancë dëgjimore me presidentin Meta

Komisioni Hetimor Parlamentar vendosi që të martën që vjen, 18 maj, të thërrasë në seancë dëgjimore Presidentin e Republikës Ilir Meta, ndërsa lajmëroi se në datën 20 maj Komisioni do të ketë gati raportin përfundimtar hetimor. 
Deputetët sipas statusit që u jep Kuvendi kanë dërguar shkresa në shumë institucione për të sjellë informacion zyrtar mbi veprimtarinë e presidentit gjatë kohës për të cilin ai po hetohet. 
Mes institucioneve që do të sjellin informacion janë Bashkia Tiranë, SHISH, Policia e Shtetit dhe Autoriteti i Mediave që do të vërë në dispozicion pamje filmike të ngjarjeve ku është përfshirë presidenti Meta. 
Kryetari i Komisionit Alket Hyseni  bëri kujdes të deklaronte se Komisioni do të hetojë veprimtarinë dhe nuk do të bëjë gjykatën dhe do të punojë brenda mandatit që i ka caktuar kuvendi. 
Mbledhja e ardhshme u vendos të mbahet në 14 maj, ditën e premte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›