Komisioni i Disiplinës së FSHF gjobit Laçin, Vllazninë, Skënderbeun dhe Tiranën

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka marrë disa masa disiplinore ndaj klubeve dhe një lojtari, për shkelje të rregullores gjatë ndeshjeve të kampionatit.
KF Laçi është dënuar me 100 mijë lekë gjobë për mosmarrjen e masave të nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për sjelljen e gabuar të spektatorëve, të cilët kanë hedhur sende në fushën e lojës, duke rrezikuar sigurinë e lojtarëve të ekipit kundërshtar.
KF Vllaznia është gjobitur me 50 mijë lekë për hedhjen e sendeve në fushën e lojës nga spektatorët.
Ndërkohë, lojtari i Vllaznisë, Adnard Mehmeti, është dënuar me dy ndeshje pezullim nga veprimtaritë sportive, për provokim të spektatorëve.
Një gjobë prej 100 mijë lekësh është vendosur edhe ndaj KF Skënderbeu, për ndezjen e flakadanëve dhe mjeteve piroteknike, si dhe hedhjen e sendeve në fushën e lojës nga spektatorët.
KF Tirana është dënuar me 50 mijë lekë gjobë për ndezjen e flakadanëve dhe mjeteve të tjera piroteknike nga spektatorët, në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Disiplinës dhe Etikës.
/e.i/a.f/r.e/