E Enjte, 5 Nëntor 2026

Komisioni i Ekonomisë miraton ndryshimin në ligjin e pagave

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi sot një ndryshim në ligjin “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e Administratës Publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”. Nismë e deputetes së PS-së Antoneta Dhima, ky ndryshim ka për qëllim rregullimin e vakumit të interpretimit të nenit 9 të këtij ligji. Duke argumentuar nismën para anëtarëve të komisionit, Dhima u shpreh se shkronja C e nenit 9 ka pasur një pasaktësi në përcaktimin e shpërblimit mujor të këshilltarëve dhe kryetarëve të fshatrave. “Në ligjin aktual ky shpërblim ka qenë në masën deri 10% të pagës mujore të kryetarit të këshillit përkatës të njësive të qeverisjes vendore. Nëpërmjet kësaj nisme duhet të ndryshohet shkronja C e nenit 9, duke u saktësuar shpërblimi mujor i këshilltarëve dhe kryetarëve të fshatrave në masën deri në 10% të pagës mujore të kryetarit përkatës të njësive. Arsyeja e këtij propozimi bëhet edhe për faktin se nuk ka referencë paga e kryetarit të këshillit, pasi ai është thjesht anëtar i këshillit bashkiak”, u shpreh ajo. Dhima sqaroi se bëhet fjalë për një gabim njerëzor në hartimin e ligjit pasi në vend të bëhej “kryetarit të njësive të vetëqeverisjes vendore” është bërë “kryetarit të këshillit”. Nisma sipas saj është miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave ndërsa janë propozuar disa ndryshime teknike. Dhima tha se shtrirja e efekteve financiare do të jetë nga data e hyrjes në fuqi të ligjit dhe kjo nismë nuk ka efekte financiare pasi është parashikuar nga njësitë e qeverisjes vendore. “Ky ishte një shqetësim i përcjell prej njësive të qeverisjes vendore. Ndaj propozoj ta miratojmë me ndryshimin e paraqitur nga Këshilli i Ministrave”, shtoi ajo. /m.m/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›