Komisioni i Konkurrencës monitoron edhe një vit kompaninë që menaxhon parkimin në Rinas

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Komisioni i Konkurrencës vendosi monitorimin edhe për një vit tjetër të ndërmarrjes “Star Parking Albania” në tregun e menaxhimit të lehtësive të parkimit në aeroportin “Nënë Tereza”.
Komisioni i Konkurrencës pas hetimit 1-vjeçar doli në përfundimin se ndërmarrja ka zbatuar kushte të pabarabarta me ndërmarrjet të cilat lidhin kontratë me “Star Parking”për t’u pajisur me telepas dhe nuk ka paraqitur arsye për këtë trajtim të ndryshëm, detyrë kjo që i ishte lënë një vit më parë.
“Ndërmarrja “Star Parking Albania” ka pozitë dominuese prej 100 % në tregun e menaxhimit të lehtësive të parkimit pranë TIA-s. Bazuar në praktikat më të mira të Komisionit Europian dhe të OECD-së, monopoli krijon mundësi potenciale për abuzim të pozitës dominuese në tregun përkatës”, thuhet në vendimin e Komisionit.
Sipas Komisionit të Konkurrencës, vendosja e një çmimi që është tepër i lartë/i tepruar, sepse nuk ka lidhje të arsyeshme me vlerën ekonomike të produktit të ofruar, do të konsiderohet abuzim.
Për këto arsye Komisioni i Konkurrencës vendosi vijimin e monitorimit të zbatimit të kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në nëntor 2022 edhe për një periudhë tjetër 1-vjeçare.
Po ashtu, Komisioni vendosi gjobitjen e ndërmarrjes për moszbatimin e detyrimeve të vendosura në nëntor 2022, në masën 756 mijë lekë.
/r.e/