E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Komisioni për Edukimin mbështetje ATSH-së për hartimin e një ligji të ri, Ina Zhupa: Institucion që ka krijuar besueshmëri dhe paanshmëri

TIRANË, 11 nëntor/ATSH/ Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa u shpreh sot se Agjencia Telegrafike Shqiptare është nga të paktat raste të një institucioni që ka krijuar besueshmëri dhe paanshmëri.

Komentet u bënë gjatë prezantimit nga Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) Valbona Zhupa para anëtarëve të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të projektbuxhetit të këtij institucioni për vitin 2025.

Ina Zhupa: ATSH ka krijuar besueshmëri dhe paanshmëri

Zhupa ndau në komisionin opinionin e saj si kryetare, por edhe si përfaqësuese e opozitës.

“Problematika e ATSH ndër vite para jush, ka qenë anshmëria dhe fakti që ndonjëherë dukej si ndonjë zgjatim i një institucioni të caktuar shtetëror. Me ju nuk ka ndodhur dhe sinqerisht, besueshmëria është për t’u përgëzuar dhe raportimi i paanshëm i çdo lajmi e ngjarje pavarësisht se vjen nga mazhoranca, opozita, shoqëria civile apo kushdo për këtë ju jam mirënjohëse dhe si kryetare edhe si përfaqësuese e opozitës”, tha Zhupa.

Së dyti, vijoi Ina Zhupa, ajo që thoni me të drejtë në relacionin tuaj duhet të jetë një reflektim për të gjithë komisionin sepse mund të vijë edhe nga një deputet, por unë mendoj se duhet të vijë nga i gjithë komisioni sepse ATSH funksionon ende me dekretin numër 1960 datë 09.11.1954.

“Pra funksionon me një dekret të 1954 që është jashtë kohe, jashtë çdo logjike dhe është detyra e këtij komisioni. Nëse kemi një gjë që varet drejtpërdrejt nga ne, të krijojmë një ligj të ri dhe e marr si përgjegjësi personale në bashkëpunim me ju dhe me institutin që kemi këtu për të marrë krahasimin edhe nga modelet e tjera dhe bashkë me Komisionin të punojmë një draft të përbashkët në mënyrë të tillë që buxheti i vitit i ardhshëm të mos na gjejë në këtë gjendje që ne reflektojmë me vitin 1954 për të mirën e përbashkët edhe për atë që ne aspirojmë në rrugën tonë drejt BE-së”, tha Zhupa.

Ina Zhupa theksoi se “mbështes plotësisht kërkesën buxhetore të ATSH. Besoj edhe anëtarët e Komisionit sepse është pasuri kombëtare, është vlerë kombëtare arkiva juaj. Më vjen mirë që keni marrë angazhimin për të bërë kalendar më vjen mirë sa herë bëni një ekspozitë dhe qasni publikun më afër materialeve tuaja, fotoja juaj, arkiva juaj ato që ju keni janë historia e Shqipërisë dhe nëse i lëmë ato të kalben, të myken kemi lënë historinë e Shqipërisë kemi lënë vlerat tona të përbashkëta dhe nuk vlen 15 milionë lekë para një episodi të rëndësishëm historik para asaj që nuk e kthen dot më mbrapsht. Paratë edhe i gjemë e zëvendësojmë edhe  shtohen e pakësohen buxhetit të shtetit, por historinë nuk e zhbëjmë dot, ato foto nuk kthehemi dot t’i bëjmë përsëri apo atë arkivë ta bëjmë prapë”.

Ulliri: ATSH të mbetet pika e referimit për çdo lajm 

Deputetja e Partisë Demokratike, Andia Ulliri tha se: “Falënderoj për raportimin dhe ngritjen e shqetësimeve ATSH-në dhe patjetër për punën tuaj. Dhe madje në gjithë parashtrimin e zonjës Zhupa (Ina Zhupa) nuk do hiqja ndonjë presje, por madje do doja që në frymën e reflektimit dhe ekspozimit të të gjithë situatave dhe ngjarjeve që ndodhin në Shqipëri, shpesh herë e kam gjetur veten duke klikuar lajme që janë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare thjeshtë për të parë një reflektim objektiv. Në frymë të kësaj punës tuaj do doja thjeshtë të vija në dukje faktin se gjatë periudhës që ushtroj këtë detyrë kam qenë pjesë e disa protestave shumë të mëdha si protesta e rrugës Thumanë-Kashar dhe protesta me nivel shumë sensitive si ajo e shkollës në Nikël dhe nuk e kam parë të reflektuar”.

“Kam parë reflektimin e lajmeve si deklarata të Ramës, Ballukut fakti si kjo autostradë i shërben zhvillimit të turizmit, korridorit blu. Është gjithë kjo arritje, por nuk kam parë një reflektim të një proteste që ka zgjatur prej dy muajsh dhe fakti që kishte aq shumë problematika lidhur me atë protestë. Jo thjesht për çështjen e protestës apo kush ishte në atë protestë nuk besoj se ka të bëjë me çështjen se ishte një protestë ku edhe opozita ishte e angazhuar, por me faktin që ne duhet të japim një paraqitje dhe një ekspozim të qartë disa nga ngjarjeve që cilësohen si të mëdha”, theksoi Ulliri.

Deputetja e PD-së, Ulliri u shpreh se “si deputete e qarkut Durrës e kam pasur shumë të vështirë ekspozimin e asaj proteste në të gjitha mediet duke marrë parasysh edhe RTSH sepse buxheti juaj është buxheti i shqiptarëve dhe detyra juaj është reflektimi i çdo lloj lajmi sidomos i lajmeve po them të atij niveli ku ke qytetarë të majtë të djathtë të zonës gri çfarëdo lloj përkatësie politike sepse ajo protestë nuk ishte politike, ishte një protestë me sensibilitetin më të lartë dhe nuk pati një moment nga ajo protestë që zgjati dy muaj që ju ta reflektoni”.

“Ju keni reflektuar momente nga interpelanca ku është marrë vendimi i pjesshëm për zgjidhjen e problemit, por asnjë moment nga momenti real. Këto financa, ky fond është buxhet i shtetit, buxhet i shqiptarëve ndaj dua të jem kritike nëse do të ketë raste të tilla të tjera të bëjmë çmos që ky institucion të mbetet pika e referimit, për çdo lajm që del të jetë në nivelin më të lartë”, tha Ulliri.

/k.s/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›