Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme miratoi katër projektligje

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi mbledhjen e radhës, ku shqyrtoi dhe miratoi katër projektligje në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, të cilat synojnë harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian.
Në fillim të mbledhjes, komisioni shqyrtoi projektligjin “Për Statutin e Shoqërive Evropiane (SE)”, nismë e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, i cili u shqyrtua si një projektligj i vetëm me nismën e Këshillit të Ministrave, për shkak të objektit të njëjtë.
I pranishëm në mbledhje ishte zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, i cili u shpreh se projektligji përcakton rregullat për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Shoqërive Evropiane (SE), duke mundësuar ushtrimin e veprimtarisë ekonomike në nivel evropian mbi bazën e një kuadri të unifikuar ligjor.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Më pas, komisioni shqyrtoi projektligjin “Për grupimet ekonomike me interes evropian”, nismë e deputetes Milva Ekonomi, i cili gjithashtu u shqyrtua si një projektligj i vetëm me atë të propozuar nga Këshilli i Ministrave.
Gjatë prezantimit, zëvendësministri Musabelliu theksoi se projektligji krijon kuadrin ligjor për themelimin dhe funksionimin e grupimeve ekonomike me interes evropian, me synim lehtësimin e bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet ndërmarrjeve dhe subjekteve ekonomike të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve që synojnë integrimin në tregun evropian.
Edhe ky projektligj u miratua nga komisioni në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Në vijim, deputetët shqyrtuan projektligjin “Për Shoqëritë Evropiane të Bashkëpunimit (SHEB)”, të propozuar nga deputetja Romina Kuko, i cili u bashkua për shqyrtim me projektligjin përkatës të Këshillit të Ministrave, për shkak të objektit të njëjtë.
Projektligji synon krijimin e bazës ligjore për ngritjen dhe funksionimin e Shoqërive Evropiane të Bashkëpunimit, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, social dhe territorial ndërmjet subjekteve nga vende të ndryshme, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Pas diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Në përfundim të mbledhjes, u shqyrtua projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 25/2018 ‘Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare’”.
Zëvendësministri i Financave, Andi Memeti, tha se projektligji synon përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian në fushën e kontabilitetit dhe raportimit financiar, duke rritur transparencën, cilësinë e pasqyrave financiare dhe standardet e raportimit për subjektet ekonomike.
Edhe ky projektligj u miratua nga anëtarët e komisionit në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Gjatë diskutimeve, anëtarët e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme vlerësuan se katër projektligjet përbëjnë një hap të rëndësishëm në procesin e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian dhe në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian.
/gj.m/j.p/