E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kompania “Erzeni” drejt tregut europian, a do ulen çmimet e bulmetit? Flet CEO, Erzen Begaj

Kompania e përpunimit dhe prodhimit të produkteve të bulmetit që është prezente në tavolinat tona, “Erzeni”, duket se është një hap larg nga prezenca në tregun europian.

Investimet që po kryen kompania vitet e fundit kanë vetëm një qëllim. Përmbushjen e standardeve për cilësinë e produktit jo vetëm për konsumatorët vendas, por dhe për ata europianë.

Erzen Begaj, administrator i përgjithshëm i kompanisë, gjatë një interviste në Vizion Plus në emisioni “E-ZONE” tha se çfarë synon të arrijë kompania që ai drejton.

“Pikë së pari ne duam të konsolidojmë më tej aktivitetin tonë në tregun vendas, sipas standardeve  të plota europiane. Ambicia jonë është që të shtrihemi në tregun rajonal dhe më tej, në atë europian, dhe kjo do të mund të realizohet shumë shpejt. Fakti që ne kemi arritur marrëveshje për gjetjen e lëndës së parë nga ferma europiane, konkretisht nga Hungaria, na motivon edhe më shumë që të bëjmë gjithçka për të arritur këto standarde që kërkon Bashkimi Europian. Ne jemi pranë arritjes së një marrëveshje me rrjetin europian të supermarketeve “LIDL” dhe ky është një lajm i mirë për të punuar më fort për standardet”, sqaroi Erzen Begaj, CEO i kompanisë “Erzeni” në Vizion Plus.

Drejtuesi i kompanisë thotë se çmimi i marrë në Portugali një muaj më parë, për djathin më të mirë “Amanter” në një kompeticion mes 1000 kompanive pjesëmarrëse është një motivim për të punuar dhe për të arritur çdo standard për konsumatorët. Por si do të jenë çmimet e bulmetit në vitin që sapo ka nisur?

“Çmimet kanë pësuar një stabilizim krahasuar me vitin 2022, kohë kur inflacioni arriti kulmin. Edhe për ne çmimet konsiderohen të larta, por jemi të detyruar të ofrojmë këto tarifa, pasi kostot e prodhimit në vendin tonë janë të larta. Qumështi vendas kushton 25-30% më shtrenjtë se ai i importit. Në plotësojmë nevojat tona 70% me prodhim vendas, pjesën tjeter e importojmë. Nga ana tjeter informaliteti në treg është një tjetër shqetësim për industrinë tonë. Blegtoria është një sektor që ka pësuar rënie të ndjeshme në vitet e fundit. Unë mendojë se viti që sapo ka nisur duket se do të vijojë me të njëjtat çmime në treg”, sqaroi Begaj. 

Kompania e përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij “Erzeni” e mbylli vitin 2024 me një rritje vjetore 14%. Pritshmëritë janë që edhe viti 2025 të jetë një vit i konsolidimit të mëtejshëm të treguesve, shoqëruar me cilësinë e nevojshme ndaj konsumatorëve./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›