E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompanitë apel Qeverisë: Na falni taksat të kompensoni borxhin

Qeveria hyn në borxh me 660 kompani të reja. Dhoma e Tregtisë kërkon kompensimin e detyrimeve

borxhi ndaj kompaniveQeveria i detyrohet kompanive private një borxh prej 200 milionë eurosh. Këto fatura të papaguara, janë akumuluar ndër vite për punët publike të kryera nga sipërmarrja private. Por tashmë sipas kreut të  Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka, kësaj liste po i shtohen edhe kompanitë e shërbimeve që kanë kryer punë të kontraktuara nga institucionet shtetërore. Përballë kësaj situate tepër të vështirë kompanitë përmes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë i janë drejtuar Qeverisë me një sërë kërkesë-propozimesh ku i parashtrojnë zgjidhjen e situatës, përmes faljes së detyrimeve tatimore.
Borxhi ndaj kompanive
“Shuma që buxheti i shtetit i ka kompanive private është në shifra të konsiderueshme, të cilat i kalojnë 200 milionë eurot. Por një fenomen negativ, i cili po shoqëron tashmë rritjen e detyrimeve që ka buxheti i shtetit ndaj kompanive është detyrimi që ka ndaj kompanive të shërbimit, ku ne kemi marrë një informacion dhe janë rreth 660 kompani që operojnë në sektorin e shërbimeve dhe që po preken nga kjo plagë e rëndë, pasi i penalizon këto kompani në pagimin e detyrimeve të drejtpërdrejta të tatim fitimit dhe të TVSH-së”, thotë Nikolin Jaka, kreu i  Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
Zgjidhja
E gjithë kjo situatë e ka zhytur në një kolaps të thellë biznesin, çka jep efekt zinxhir në rritjen e papunësisë. Në këto kushte, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon kompensimin e këtyre detyrimeve përmes pezullimit të detyrimeve tatimore. “Ndërhyrjen me akte ligjore që mundëson kompensimin ose pezullimin e afateve të pagesave për detyrimet tatimore si Tatimin mbi Vlerën Shtuar dhe Tatimin mbi Fitimin në favor të të gjitha kompanive private, kur shuma e detyrimit që sistemi i buxhetit të shtetit i ka këtyre kompanive është më e madhe se shuma e detyrimeve tatimore që kompanitë kanë shlyer”, thotë Jaka.
Amnistia
Një tjetër kërkesë e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë është aplikimi i Ligjit për Legalizimin e Kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor 2011-2012, duke përfshirë uljen e tarifave për legalizimin e aseteve sipas propozimeve të dhomës. Biznesi kërkoi gjithashtu dhe kuadër ligjor për të ndëshkuar punonjësit e administratës publike që shkelin konfidencialitetin e deklarimeve vullnetare.

200
milionë euro është shuma që qeveria i detyrohet sipërmarrjeve private

660
kompani që operojnë në sektorin e shërbimeve kanë hyrë në listën e bizneseve, të cilave qeveria iu detyrohet shuma të mëdha parash

4.1
miliardë lekë më pak ka buxheti i shtetit sipas të dhënave të Ministrisë së Financave për tremujorin e parë të këtij viti

4.1 miliardë lekë më pak të ardhura në buxhet
Nëse nga njëra anë kompanitë private i kanë vënë ultimatumin Qeverisë, dhe i kërkojnë borxhet, nga ana tjetër vetë qeveria e ka arkën bosh. Të dhënat zyrtare tregojnë qartë se buxheti i shtetit po përballet me problemin e mosrealizimit të të ardhurave. Sipas Ministrisë së Financave për tremujorin e parë të këtij viti, arkës së shtetit i mungojnë 4.1 miliardë lekë, krahasuar me parashikimin. Ndërsa, kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, të ardhurat janë 2.7 miliardë lekë më pak. Këto shifra dëshmojnë për ecurinë e ngadaltë të ekonomisë shqiptare, të deklaruar pak ditë më parë edhe nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Të dhënat evidentojnë një rënie të ndjeshme të të ardhurave të Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, e njohur ndryshe si taksa e konsumit. Sipas statistikave, të ardhurat nga TVSH-ja arritën në 23.9 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 2.5 miliardë kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, ekuivalente me 9.7% më pak. Rënia e konsumit konsiderohet edhe një ndër problemet kryesore, me të cilat përballet aktualisht ekonomia jonë, si pasoje e pasigurisë së qytetarëve për të ardhmen. Ndërkohë, rënie gjatë tre muajve të parë të këtij viti kane shënuar edhe të ardhurat nga akciza, ku janë grumbulluar 7.1 miliardë lekë ose rreth 1.3 miliardë lekë më pak se plani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›