E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompeticioni i parë i bilardos në Shqipëri

TIRANË, 8 maj/ATSH/ Për herë të parë në Shqipëri u zhvillua aktiviteti Albania Premier League Pool, në Baron Club Billiard & Snooker.

Eventi solli një format të ri dhe një nivel të lartë konkurrence mes lojtarëve më të mirë të bilardos në vend.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, tha se, gjatë dy ditëve të mbushura me emocione, ndeshje spektakolare dhe rivalitet të fortë, publiku pati mundësinë të shijojë bilardon në një tjetër dimension, më profesional, më dinamik dhe më të organizuar se kurrë më parë.
Në fund të këtij rrugëtimi, Eklent Kaçi konfirmoi dominimin e tij duke u shpallur kampion i edicionit të parë të Albania Premier League.

Vendin e dytë e siguroi Ernesto Gjoni, me një performancë shumë të fortë gjatë gjithë turneut, ndërsa në vendet e treta renditen Kledio Kaçi dhe Niko Malaj, duke kompletuar një podium me nivel të lartë dhe meritë të plotë.

Aktiviteti shënoi një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sportit të pool-it në Shqipëri dhe vendos themelet për një kompeticion që pritet të rritet edhe më shumë në vitet në vazhdim. /j.p/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›