Komplikacion i rrallë në shtatzani, mjekët shpëtojnë nënën dhe binjakët

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Një nënë 40-vjeçare, pas një shtatzënie binjake të arritur përmes fertilizimit in vitro, u përball në javën e 34-t me një komplikacion të rrallë dhe kompleks të paretit abdominal, që kërkonte një trajtim të koordinuar multidisiplinar.
Bashkëpunimi mes ekipeve të Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” dhe QSUT bëri të mundur realizimin me sukses të lindjes së binjakëve dhe korrigjimin kirurgjikal të problematikës në të njëjtën ndërhyrje.
Dy foshnja erdhën në jetë të shëndetshme dhe nëna vijon të jetë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për të gjithë mjekët, infermierët dhe profesionistët e shëndetësisë që kontribuan në këtë sukses, për përkushtimin, profesionalizmin dhe bashkëpunimin e tyre.
“Ky është kujdesi shëndetësor me pacientin në qendër: ekipe të koordinuara, vendimmarrje multidisiplinare dhe rezultate që sjellin jetë e shpresë”, thuhet në njoftim.