Kompozitori i Celentanos dhe Vasco Rossi-t bekon talentin shqiptar/ Elena Fezga vjen me “Shine star”: Kur e takova isha e trembur, porosia që më dha

Elena Fezga, këngëtarja shqiptare e lindur në Verona, sapo ka publikuar këngën e saj të parë “Shine star”. Ky është një bashkëpunim me mjeshtrin italian Fio Zanotti.
E ftuar në emisionin “Në radio” të Andri Xhahut, Elena ose siç njihet në art me emrin Fezz, zbulon detajet e këtij projekti. “Ky është projekti im i parë që vjen pas shumë vitesh studime dhe sakrifica. Kënga erdhi në një moment të jetës sime kur kisha mbaruar studimet në Akademinë Lirike në Verona dhe kishte ardhur koha ime për të kënduar”.
Kënga është kompozuar nga Fio Zanotti, i njohur për bashkëpunimet me artistë si Adriano Celentano, Gianluca Grigniani, Pooh, Vasco Rossi, Loredana Berte dhe si orkestruesi i këngës “Senza Pieta” të Ana Oxa-s, me të cilën ka fituar edhe Sanremon në vitin 1999. Elena tregon se takimi me kompozitorin italian ishte krejt i rastësishëm. “Më kërkoi të këndoja një këngë ‘a cappella’ që të dëgjonte zërin. I pëlqeu dhe më tha që ke zë për muzikë Blues dhe Soul, një zë pak të vjetër dhe ‘black’. Më dha një këngë që kishte shumë vite që e kishte shkruar. Më tha që është këngë për zërin tënd”.
Elena kujton që përpara tij këndoi “At last” të Etta James sepse “ai ka punuar me personalitete kaq të mëdha sa ti ndjen që duhet t’i provosh që vlen”, shprehet ajo duke shtuar se ishte disi e frikësuar nga bashkëpunimi me këtë emër të rëndësishëm të muzikës italiane. “Kur më thanë që do bashkëpunosh me të, isha pak e trembur. Por Fio është një nga personat më të thjeshtë e më njerëzor që kam njohur. Ai më tha që të mos jem komerciale dhe të mos mendoj që t’i pëlqej shumë njerëzve, por të bëj mirë atë që di të bëj dhe atë që kam studiuar të bëj”.
Elena Fezga ka lindur dhe është rritur në Verona, me babanë nga Përmeti dhe nënën nga Tirana. Ka nisur të studiojë që në moshën 6-vjeçare. Që në fëmijëri ka marrë pjesë në sezonet lirike në Arenën e Veronës. “E kam prekur këtë skenë me korin, që kur isha 8 vjeç deri në moshën 16-vjeçare. Gjithë verën këndonim në Arena di Verona”.
24-vjeçarja ka studiuar për muzikë lirike dhe këndim jazz. Po kështu ka marrë dhe mësime për aktrim për disa vite.