E Premte, 6 Nëntor 2026

Komunikimet elektronike, Muça: Nxitje investimeve për rrjetet me kapacitete shumë të larta

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Komisioni Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, diskutoi sot nen për nen projektligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”.

Zëvendësministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë Enkelejda Muça, e pranishme në komision, bëri të ditur se projektligji ka si qëllim të rishikojë dhe të përmirësojë kuadrin e përgjithshëm rregullator për komunikimet elektronike, me qëllim nxitjen e investimeve për rrjetet e komunikimeve elektronike me kapacitete shumë të larta.

Sipas saj, “ndryshimet e reflektuara në projektligj vijnë në përshtatje me standardet e BE-së për sa i takon, rregullimeve në fuqi, në lidhje me spektrin e frekuencave, regjimin e shërbimit universal, rregullat për mbrojtjen e konsumatorit, numeracionin dhe komunikimet e emergjencave”.

Muça theksoi se objektivi për ndërtimin e rrjeteve me kapacitete shumë të larta është një nevojë për të gjitha zhvillimet e pritshme për ekonominë digjitale, si dhe përcaktimin e rregullave më të qarta për rrjetet e komunikimeve elektronike, të drejtat e përdorimit të frekuencave apo burimeve të tjera fundore, mekanizmat e duhur institucionalë e rregullatorë, zvogëlimin e ndarjes digjitale etj.

“Rrjetet me shpejtësi të lartë ndikojnë në ofrimin e shërbimeve te familjet dhe bizneset dhe zhvillimin e industrisë së vendit”, tha Muça.

Komisioni shqyrtoi dhe miratoi sot 156 nene të këtij projektligji, ndërsa do të vijë në seancën e radhës për diskutimin dhe miratimi i neneve të tjera të projektligjit “Për  komunikimet elektronike”.

1 nga 3

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›