E Diel, 1 Nëntor 2026

Koncerti i tifozëve anglezë në hotel Dajti në sytë e Sigurimit në 89

Attila the Stockbroker (John Baines), te shtunen gjate nje koncerti ne Tirane

Artisti John Baines kthehet në Tiranë pas 23 vitesh.

Udhëtimi në vitin 89 për ndeshjen Angli-Shqipëri dhe njohja e hershme mes Radio Tiranës.

Plot 23 vjet më parë, me një autobus të vjetër, që u prish dy herë rrugës, artisti John Baines, i shoqëruar nga 55 tifozë britanikë, zbarkuan në Tiranë për të parë ndeshjen Shqipëri-Angli.
Në të vërtetë, Baines, më shumë se të ndiqte ndeshjen dëshironte të shihte Shqipërinë, vendin që e kishte gjetur në hartë për herë të parë kur ishte 14 vjeç dhe që e njihte përmes valëve të Radio Tiranës. Ishte një udhëtim i paharrueshëm. Pas më shumë se dy dekadash, artisti kthehet sërish në Tiranë, ku dikur mbajti një koncert klandestin në Hotel Dajti. Dy ditë më parë, Tirana Art Lab (Qendër për Artin Bashkëkohor), dhe Tirana Ekspres (The Alternative Art Space), organizuan aktivitetin TIRANA THRASH. Një ekspozitë dhe koncert i artistit dhe poetit kritik punk nga Britania, me emrin e artit Attila the Stockbroker (John Baines) në homazh të atij prilli të vitit 1989. Attila the Stockbroker, një personalitet i rëndësishëm në skenën e Pankut Britanik, ka qenë një nga qytetarët e pakët britanikë që ka udhëtuar drejt Shqipërisë përpara rënies së regjimit komunist. Në një intervistë për gazetën Panorama, John Baines tregon udhëtimin e tij në Shqipëri para 23 vitesh dhe kthimin e tij të dytë. Ndryshimet mes kohëve…

Keni ardhur në Shqipëri 23 vjet më parë, keni kënduar e keni shkruar këngë që lidhen me Shqipërinë, na tregoni çju lidh me vendin tonë.
Po e nis nga fillimi. Kur isha 14 vjeç, në Angli u zhvillua greva e minatorëve, e cila paralizoi gjithë jetën. Njerku im thoshte se ata po mbanin peng vendin, por unë nuk isha dakord me të, pasi minatorët paguheshin shumë pak dhe kishin një punë shumë të vështirë. I gjithë vendi ishte i ndarë më dysh. Isha vetëm 14 vjeç dhe vendosa të isha një marksist, por në të vërtetë nuk e dija fare se çishte. Një ditë shkoj në një librari për të mësuar më shumë rreth marksizmit. Lexova për të, për Stalinin, për Bashkimin Sovjetik. Gjeta libra të Stalinit, Leninit dhe të Enver Hoksës. Enver Hoksa? Çështë ky? Në libra thuhej se drejtonte një vend që quhej Shqipëri, për të cilin nuk kisha dëgjuar kurrë më parë dhe që ishte i vetmi vend socialist në Europë. Kjo më çuditi pa masë. Nuk e dija që Shqipëria ishte në Europë, mendova ndoshta ishte në Bashkimin Sovjetik, kështu që mora një hartë dhe fillova të kërkoja këtë vend dhe përgjigjen e pyetjes se përse ai ishte vendi i vetëm socialist në Europë. Po Rusia, Bullgaria dhe vendet e tjera të Lindjes, çfarë ishin? Kur hyra në atë librari, nuk e kisha dëgjuar më parë fjalën revizionist. Por më pas e kam dëgjuar shumë shpesh këtë fjalë dhe kuptova se nuk ishte gjë e mirë që të ishe i tillë. Kështu fillova të mësoja mbi Shqipërinë dhe Enver Hoxhën (e mësova si lexohej korrekt), ndërkohë që rashë në kontakt dhe me Radio Tiranën.
Çju çoi tek valët e Radio Tiranës, çju tërhiqte te ky stacion i huaj?

Gjatë hapjes së ekspozitës në fotografi të vitit 1989 në Galerinë Tirana Ekspres

Në Angli ne kishim (vazhdojmë ta kemi) një kanal shumë të mirë radiofonik Radio One. Atje ishte një DJ fantastik, i cili kishte një program gjatë orëve të mbrëmjes. Ai ka qenë frymëzimi im që u bëra muzikant e poet. Asokohe, në mes të muzikës që ai vendoste, ndërhynte edhe një tjetër muzikë dhe shpeshherë dëgjoheshin fjalë në gjuhë të huaj. Ishte Radio Tirana, e cila kishte një sinjal shumë të fuqishëm dhe ishte menjëherë pas Radio One, ndaj dhe shpesh ajo interferonte në valët e radios angleze. Shpesh DJ-i bënte shaka me këtë fakt. Kështu nisa të dëgjoja Radio Tiranën, ku pas siglës së famshme jepej edhe një edicion në gjuhën angleze: Ju flet Tirana, po japim edicionin e lajmeve në gjuhën angleze dhe jepte lajme të tipit: Punonjësit e qytetit të Korçës kanë arritur suksese të mëdha në fushën e agrikulturës... Aty kuptova për shqiptarët që ishin të gjithë revizionistë, imperialistë, kolonialistë… dhe nuk e kuptoja: po edhe Tito ishte komunist gjithashtu… Por një frymëzim i jashtëzakonshëm për mua, përpara se të nisja edhe vetë të performoja ishte programi me muzikë shqiptare. Më kujtohet (dhe kjo është e vërtetë) që kam dëgjuar një program me këngë shqiptare nga artistët amatorë të ansamblit të kombinatit të autotraktorëve Enver Hoxha në Tiranë. Kjo ishte shumë argëtuese për mua. Atëherë zbulova se edhe shumë të tjerë në Angli dëgjonin Radio Tiranën dhe bënim shaka me njëri-tjetrin për traktorët, Enver Hoxhën… madje dhe në një show të famshëm në Angli flitej për të. Të gjitha këto më frymëzuan që të realizoja një album muzikor mbështetur mbi Shqipërinë. Unë isha i mahnitur nga Shqipëria, nga ky vend i vogël, por që kishte një stacion radiofonik shumë të fuqishëm.
Por ju erdhët në Tiranë për të parë ndeshjen Angli-Shqipëri, apo jo?

Tifozë anglezë gjatë ndeshjes Shqipëri-Angli në stadiumin Qemal Stafa, 1989

Unë kam qenë gjithnjë një adhurues i futbollit. Kam qenë tifoz i skuadrës së qytetit tim dhe asnjëherë i ndonjë skuadre të madhe. Asnjëherë smë kanë interesuar skuadrat e famshme. Në vitin 1984, Shqipëria luajti me Belgjikën në Bruksel për Kampionatin Botëror dhe unë bashkë me katër miq të mitë vendosëm të shkonim atje dhe të mbështesnim Shqipërinë. Kishim me vete flamurin e Shqipërisë dhe të Enver Hoxhës në një pankartë dhe bërtisnim Albania, Albania. Atje takuam edhe disa shqiptarë, të cilët na falënderuan që ne po mbështesnim ekipin e tyre. Pastaj në 1989-n ndodhi diçka e mrekullueshme. Anglia do të luante me Shqipërinë për kualifikimin në Botëror. Kështu që vendosa të vij në Shqipëri. Të njëjtën mendje me mua kishin edhe shumë të tjerë, të cilët donin të shikonin Shqipërinë. Aplikuam për viza dhe ishim një grup prej 56 anglezësh, që do të mbështesnin skuadrën e tyre. Morëm vizat. Përgatitëm edhe ca bluza pikërisht për këtë rast. Pjesa e përparme ngjante si fanellat e Flamurtarit të Vlorës dhe pas shkruanin: Tifozët e futbollit britanik, paqësorë, u dërgojmë shokëve tanë shqiptarë përshëndetje vëllazërore me rastin e takimit të parë midis dy komeve tona”.
Si erdhët në Tiranë?

Attila the Stockbroker, duke pozuar para varrit të Enver Hoxhës, në vitin 1989

Ka qenë një udhëtim i çmendur. Vendosëm të vinim me autobus. Ishte një autobus i vjetër, që u prish qysh në Angli e u prish sërish në Jugosllavi. Udhëtuam dy ditë për të arritur në kufirin shqiptar, në Hanin e Hotit. Më parë kishim dëgjuar se duhet të ishim të rruar e

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›