Koncesioni i Sterilizimit, Beqja: SPAK nuk hetoi 2 elementë, e vërteta e përfitimit të shqiptarëve do dalë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja pas komunikimit nga SPAK të akuzës për shpërdorim detyre, ka deklaruar para mediave se prokurorët në 50 muaj nuk kanë qenë në gjendje që të hetonin dy elementë kryesorë.
Beqja shpreson që e vërteta e tij mbi “Sterilizimin” do të dalë në gjykatë. Pyetjes se përsa ja dhatë koncesionarit qendrën e sterilizimit, ish-ministri iu përgjigj duke thënë se “që t’i shërbenin më mirë shqiptarëve”.
Ish-ministri ka deklaruar se arsyeja e paraqitjes në SPAK lidhet me dy elementë kryesorë, konkretisht: vendimin e prokurorëve të çështjes për përfundimin e hetimeve; dhe vendimin e prokurorëve për komunikimin e akuzës për shpërdorim detyre për çështjen e sterilizimit.
Beqja thekson se të vërtetën do e ballafaqojë në gjykatë, ndërsa shton se SPAK duhet të kishte nisur analizën për përgjegjësinë e tij si ish-ministër, që nga referimi i neneve përkatëse në Kushtetutë dhe në ligjin për kujdesin shëndetësor.
“Sepse referuar atyre dispozitave unë dhënien e një shërbimi cilësor dhe të barabartë, nga veriu në jug të Shqipërisë e kam patur detyrim dhe mision.
Çdo funksionar publik ka detyrim të përdorë me efiçencë fondet publike, por një ministër shëndetësie ka për detyrë të pakësojë shpenzimet nga xhepi i tyre që bëjnë qytetarët për kujdes shëndetësor.
Sot e kësaj dite shëndetësia ka shumë sfida, por vetëm falë kësaj reforme që ne bëmë për sterilizimin, sot njerëzit operohen të sigurtë në spitalet publike dhe nuk shkojnë tek privati vetëm për të shmangur infeksionin si deri në 2014. Nga fillimi zbatimit të kontratës në çdo sallë kirurgjie të spitaleve publike janë operuar në kushte optimale 445 mijë qytetarë shqiptare”, tha Beqja.
Ky i fundit deklaron se SPAK në 50 muaj, nuk arriti të vlerësojë dy kriteret kryesore të një procesi sterilizimi, sikurse janë: ulja e ditëve të qëndrimit pas operacionit; dhe ulja e ditëve të marrjes së antibiotikëve.
“Të dyja këto kritere vlerësimi konvertohen patjetër në vlerë monetare dhe nga ky konvertim shikohet më pas nëse shteti ka fituar apo ka humbur nga ky koncesion. Deri më sot SPAK nuk ka bërë asnjë hetim në lidhje me këto dy kritere vlerësimi.
SPAK nuk e pa të udhës të hetojë se si kanë ndryshuar nga para zbatimit të kontratës me aktualisht ditë qëndrimi për pacientët e kirurgjisë, infeksionet nozokomiale dhe rezistenca antimikrobike.
Në 50 muaj që nga fillimi i hetimeve, SPAK nuk e pa të të udhës të hetojë “vlerën e parasë” që është arritur me këtë kontratë, të hetojë çfarë risqesh të marra përsipër nga partneri privat janë materializuar gjatë zbatimit të kontratës. Këto janë kritere kryesore të vlerësimit të një partneriteti publik-privat”, tha Beqja.
Ish-ministri garantoi se do i përgjigjet akuzave të SPAK-ut me të vërtetën e tij.
“Do të kërkojmë të bëjmë deklarime shtesë. Do të kërkojmë veprime hetimore shtesë. Do të paraqesim memorie brenda datës 28 mars 2024. Ndërkohë, mesa duket këtë çështje do ta diskutojmë edhe në komisionin hetimor të Kuvendit”, përfundoi Beqja.
Prokuroria e Posaçme ka bërë me dije se ish-ministri ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me procedurat e ndjekura për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë euro.
Në muajin gusht të vitit të kaluar, u bë arrestimi i biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Koncesioni i sterilizimit kaloi në duart e prokurorëve të SPAK në korrik 2022, të cilët nisën hetimin për të zbardhur procedurat e dhënies me koncesion të këtij shërbimi.
/rtsh.al/