E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kondolisa Rajs vazhdon vizitën në Lindjen e Mesme

Sekretarja amerikane e shtetit Kondolisa Rajs tha se ndërtimi i vendbanimeve të Izraelit ka pasur një ndikim negativ ndaj bisedimeve të paqes me palestinezët.

Sekretarja e shtetit i bëri këto komente gjatë një konference shtypi sot me presidentin palestinez, Mahmud Abazi, në Ramallah të Bregut Perëndimor.

Zonja Rajs tha se vazhdimi i ndërtimit të vendbanimeve të Izraelit po minon besimin në bisedimet e paqes. Ajo tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk mendojnë se masat e Izraelit do të kenë ndikim në vendimet finale të kufirit.

Izraeli njoftoi kohët e fundit se do të ndërtojë 1 mijë e 300 shtëpi në Jeruzalemin lindor, të cilin palestinezët e duan si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm.

Zoti Abaz e cilësoi ndërtimin e vendbanimeve të Izraelit si pengesën më të madhe, që bllokon një marrëveshjeje paqeje. Ai tha se ndërtimi i çdo vendbanimi i bën negociatat më të vështira. Megjithatë, ai tha se palestinezët janë të angazhuar të arrijnë marrëveshjen e paqes këtë vit.    (ze)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›