E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Konferenca e parë Ndërqeveritare, Rama: Shqipëria në tryezën e madhe të Evropës së Bashkuar, për të filluar negociatat për anëtarësim

Shqipëria ulet në tryezën e madhe të Evropës së Bashkuar, për të filluar negociatat për anëtarësimin. Ky është mesazhi i publikuar nga kryeministri Edi Rama, në prag të nisjes sot të Konferencës së parë Ndërqeveritare Shqipëri- BE, në Bruksel. Në postimin e tij të në rrjetet sociale, kryeministri vë theksin se kjo ditë bën krenar çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike, besimit fetar dhe krahinës ku ai jeton.

“Me kënaqësinë e me krenarinë që sot Shqipëria e të gjithëve ne, pa dallim feje, krahine, ideje, moshe a statusi social, Shqipëria e Skënderbeut, e rilindasve, e dëshmorëve të luftës, e martirëve të regjimit komunist, e studentëve të Dhjetorit ’90, Shqipëria e familjeve të zakonshme shqiptare, kudo ndodhen dhe e fëmijëve tanë kudo ku rriten me prindërit e tyre, ulet në tryezën e madhe të Evropës së Bashkuar për të filluar negociatat për anëtarësimin e saj”, është mesazhi i kryeministrit Rama, në prag të kësaj ngjarje të madhe për Shqipërinë, që fillon negociatat për në BE për anëtarësimin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›