E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca per gazin ne Tirane

Një konferencë për zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri është mbajtur të martën në Tiranë, ku kanë marrë pjesë kryeministri Berisha, anëtarë të kabinetit tij dhe përfaqësues të ndryshëm diplomatikë.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë e ka vënë theksin tek projekti për gazsjellësin TAP, që sipas tij është një projekt madhor jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën.

“Kompani të njohura ndërkombëtare e kanë kthyer Tiranën në kryeqytetin ndërkombëtar të diskutimeve për gazin. TAP është padyshim projekti më i madh dhe më me perspektivë në fushën e energjisë në këtë shekull. Është projekti më fizibël, është projekt jetik për Evropën, pasi gazifikon burimet energjitike të saj, sikurse lidh korridoret energjitike”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka vlerësuar gjithashtu se TAP përbën një kryeprojekt në proçesin e industrializimit dhe për këtë u ka shprehur mirënjohjen e tij partnerëve ndërkombëtarë, të cilët i ka ftuar të vazhdojnë investimet në Shqipëri.

“Shqipëria u është mirënjohëse partnerëve të saj në këtë projekt. Shqipëria ka një depozitë të madhe hidrokarburesh dhe kompani serioze janë duke eksploruar në zona të ndryshme të vendit. Shqipëria ka pozicionin gjeografik më të përshtatshëm. Ne do të bëjmë gjithçka për tregun e lirë”, ka shtuar Berisha.

Ndërsa ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, duke e vënë gjithashtu theksin tek projekti i gazsjellësit TAP, u ka sugjeruar autoriteteve shqiptare që ta kthejnë vendin në një element më aktiv në projektet e mëdha energjitike.

“TAP krijon një korridor të sigurtë për gazin. Shqipëria duhet të jetë më shumë se një vend pritës, duhet të jetë aktiv. Shqipëria të përfitojë sa më shumë nga ky investim dhe TAP të integrohet në projektet vendore”, ka thënë Sequi.

Edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Edmond Haxhinasto ka vlerësuar se zhvillimi i tregut të gazit është i një rëndësie jetike për vendin.

“Garantimi i furnizimit të konsumatorit është një objektiv madhor. Shqipëria do ketë një kërkesë në rritje të tregut të gazit. Për këtë arsye, gazsjellësit do kenë infrakstrukturën e nevojshme. Vendi ynë është më i përfshirë në projektet për gazifikimin dhe ne do përgatisim një masterplan për këtë objektiv”, ka thënë Haxhinasto.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›