Konferenca për zgjerimin e BE-së, në fokus procesi i negociatave dhe roli i parlamenteve

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Ecuria e procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, përmbushja e reformave dhe detyrimeve të anëtarësimit, si dhe roli i parlamenteve në procesin e integrimit evropian ishin në fokus të Konferencës Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, që po zhvillohet në Tiranë.
Në sesionin II, “Zgjerimi si proces i bazuar në merita dhe nxitës i stabilitetit dhe sigurisë”, Kryenegociatorja e Shqipërisë, Majlinda Dhuka prezantoi ecurinë e procesit të negociatave dhe rëndësinë e përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga procesi i anëtarësimit.
Zëvendëskryetarja e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Albana Vokshi u ndal te roli i parlamentit në procesin e integrimit dhe nevoja për një proces gjithëpërfshirës.
Ndërsa Marcin Bosacki, sekretar Shteti në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Polonisë, theksoi rëndësinë strategjike të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Polonisë për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Presidentja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa e vuri theksin te ndikimi i integrimit evropian në ekonominë shqiptare dhe në krijimin e mundësive të reja për biznesin.
Në sesionin III, “Roli i parlamenteve në procesin e zgjerimit të BE-së”, zëvendëskryetarja e Parlamentit dhe kryetare e Komisionit për Çështjet Evropiane të Seimas-it të Lituanisë, Rasa Budbergytė, ndau përvojën e Lituanisë në procesin e integrimit evropian dhe rolin e parlamentit në këtë proces.
Zëvendëskryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj theksoi rëndësinë e rolit të parlamentit në garantimin e legjitimitetit demokratik, mbikëqyrjen e reformave dhe dialogun politik.
Zëvendëskryetarja e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Bora Muzhaqi u ndal te kontributi i Kuvendit në përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis-in e BE-së dhe në mbështetjen parlamentare të procesit të integrimit.
Ndërsa përfaqësuesja e Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Tatiana Mrazikova, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet parlamenteve dhe shkëmbimit të praktikave në kuadër të procesit të zgjerimit.
Në përmbyllje të konferencës, kryetari i Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Kuvendit Igli Hasani falënderoi pjesëmarrësit për kontributin dhe diskutimet e zhvilluara dhe prezantoi konkluzionet e diskutimeve, duke vënë theksin te forcimi i dialogut dhe bashkëpunimit ndërparlamentar, vijimi i reformave dhe përmbushja e standardeve evropiane, si dhe rëndësia e rolit të parlamenteve në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera kandidate.
Konferenca “Agjenda Strategjike për Zgjerimin e BE-së dhe Anëtarësimin e Shqipërisë” zhvillohet në Tiranë në datat 27–29 shtator 2026 dhe mbledh së bashku përfaqësues të parlamenteve dhe institucioneve të vendeve anëtare, kandidate dhe kandidate potenciale të BE-së.
Konferenca synon të informojë dhe ndërgjegjësojë parlamentet pjesëmarrëse mbi arritjet e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit, të forcojë bashkëpunimin parlamentar dhe mbështetjen e parlamenteve të vendeve anëtare për procesin e integrimit, të konsolidojë partneritetin me vendet kandidate, si dhe të krijojë një hapësirë për dëgjimin e vërejtjeve dhe rekomandimeve të komisioneve parlamentare për çështjet europiane dhe të aktorëve të përfshirë në përpunimin e politikave të zgjerimit.
Diskutimet kryesisht po fokusohen gjithashtu në ecurinë e procesit të zgjerimit, përvojat dhe sfidat e vendeve kandidate dhe rolin e parlamenteve në avancimin e integrimit europian, në funksion të objektivit strategjik kombëtar për përfundimin e negociatave brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda vitit 2030.
1 nga 7/k.s/r.e/