Konferencë për shtyp e Këshilltarit të Kryeministrit, për Ekonominë, zotit Petraq Milo
Sot në mesditë, Këshilltari i Kryeministrit për Ekonominë, zoti Petraq Milo dha një konferencë për shtyp lidhur me takimin e vendeve të grupit G20, të zhvilluar në Washington. Në fjalën e tij, zoti Milo u shpreh:
"Ne takimin e 20- vendeve lider të ekonomisë botërore, të cilët përfaqësojnë edhe 85 % të prodhimit të përgjithshëm botëror, u vlerësua veçanërisht një politike gjithëpërfshirëse, e cila duhet te vërë theksin ne rolin e politikes fiskale, dhe ne veçanti të asaj së uljes se taksave, si një politikë që do të promovojë dhe do të luajë rolin kryesor në ngritjen ekonomike.
Disa nga rekomandimet kryesore të G 20, ishin së pari marrëveshja në parim për zgjerimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë, së dyti, rritja e transparencës dhe instrumenteve të kontrollit në tregun financiar privat dhe të institucioneve financiare, së treti, përpjekja për të marrë sa më pak risqe në sektorin bankar dhe institucionet financiare, mbështetja e politikave të rritjes ekonomike dhe reformat e domosdoshme në institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN.
Çështja kryesore në të cilën shtrohet plani i aksionit në këtë krizë mbetet transparenca drejt sektorit privat, e domosdoshme për të parandaluar krizën e mëtejshme. Kjo është një politike preventive, ku dhe Shqipëria duhet të reflektojë dhe të pasqyrojë pjesë të këtyre masave, së cilës i janë bashkangjitur pjesa më e madhe e ekonomive të vende lider botërorë."
Me pas, zoti Milo, iu pergjigj interesimit te mediave:
Pyetje: A do të marrë ndonjë masë shtesë qeveria, përveç kontigjencës së parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2009?
Petraq Milo: Projekt-buxheti i vitit 2009 nuk janë thjesht masat e marra në kontigjencë. Projektbuxheti 2009 është një politike tërësisht preventive, në drejtim të asaj që folëm më parë. Në planin e të ardhurave, projektbuxheti parashikon një qëndrueshmëri të të ardhurave në rritje, parashikon një politikë dhe një konsolidim të uljes së taksave dhe shkon më tej në këtë politike, duke parashikuar që kontributet e sigurimeve shoqërore do të ulen deri në 15 %. Kemi një vazhdimësi të uljes së barrës fiskale. Njëkohësisht politika e të ardhurave në vitin 2009 garanton dy momente, momentin e parë, uljen e deficitit buxhetor dhe momenti i dytë financimi në vazhdueshmëri i investimeve dhe kryesisht i infrastrukturës rrugore. Po ta shikojmë në planin ekonomik, një politikë e konfiltruar e të ardhurave publike lejon dhe mundëson një ulje të deficitit nga 3 % të deficitit të brendshëm në 1 %, gjë që përkthehet me mundësi më të madhe për kreditimin e aktiviteteve të tjera ekonomike, kryesisht të sektorit privat dhe e dyta mundëson më tepër financimin e investimeve të infrastrukturës rrugore, aq të domosdoshme për mbështetjen ekonomike.
Pyetje: Cilat janë masat e qeverisë që vendi ynë të mos preket nga kjo krizë?
Petraq Milo: Janë tre masa preventive, të cilat janë pjesë e politikë monetare fiskale dhe makroekonomike të qeverisë, duke zbërthyer në radhë të parë politikën fiskale, e cila është një politikë në vazhdimësi e uljes së barrës fiskale, e cila bën të mundur një lloj mundësie më tepër për investimet e brendshme dhe biznesin privat për të patur më shumë mjete financiare për të financuar investimet dhe punësimin.
Do të shtoja se buxheti i 2009, politikat fiskale janë në vazhdimësi në radhë të parë për financimin e investimeve publike, e cila përkthehet me financimin e infrastrukturës rrugore dhe infrastrukturave të tjera në përgjithësi, e cila është domosdoshmërish një bazë e fuqishme për rritjen ekonomike.
Do të theksoja, si edhe më parë, se një hap i rëndësishëm është politika e uljes së deficitit. Kemi një politike konstante dhe të vazhdueshme, nga 3 % e deficitit të brendshëm në vitet e mëparshme kemi arritur në 1 % në vitin 2009. Politikë tjetër preventive për vitin 2009, është politika monetare. Është një politikë monetare e gërshetuar me politikën fiskale, prodhimi i së cilës është kontrolli i inflacionit. Shqipëria sot ka një inflacion prej 2.9 % , në një kohë që vendet e rajonit e kanë minimalisht dy herë apo tre herë më shumë. Politika e mbrojtjes së kontrollit të inflacionit, në radhë të parë është politikë mbështetëse për shtresat të cilat janë më të prekura nga ndikimet inflacioniste, por njëkohësisht nuk duhet të harrojmë se është një mbështetje kryesore për zhvillimin ekonomik dhe sidomos të investimeve të huaja.
Së dyti, është kontrolli dhe forcimi i kontrollit të sektorit bankar ndërmjet masave për të rritur më shumë transparencën dhe kryesisht për të rritur dhe kontrolluar kreditë, pasi një nga shkaqet e krizës ka qenë dhënia e kredisë personave që nuk kanë punë, nuk kanë të ardhura, nuk kanë pronë. Pikërisht forcimi i këtyre rregullave garanton qëndrueshmërinë ose dhënien e kredisë në aktivitete që mbështesin rritjen ekonomike.
Së treti, do të theksoja se një nga drejtimet kryesore të daljes ose të preventivit të krizës është rritja ekonomike. Shqipëria aktualisht në 6 mujorin e parë ka një rritje ekonomike prej 12 % dhe përsëri vazhdon të planifikojë për vitin 2009 një rritje pozitive dhe të qëndrueshme ekonomike, në një kohë që vendet e rajonit kanë një rritje më të ulët ekonomike, ose vende të tjera mund të kenë dhe ngadalësim të rritjes ekonomike. Faktorë të rëndësishëm janë pikërisht politikat e infrastrukturës rrugore, investimet e huaja në sektorët e energjisë, të infrastrukturës. Do të shtoja gjithashtu zhvillimet e fundit në bujqësi dhe mbështetja direkte e bujqësisë, qoftë me investime nga buxheti i shtetit, qoftë me investimet e huaja, e cila është konkretizuar në radhë të parë me rritjen e prodhimit bujqësor, masat preventive për mbrojtjen ndaj katastrofave dhe përmbytjeve, njëkohësisht dhe mbështetja direkte e fermerit, qoftë me sistemin e ujitjes dhe të kullimit, po ashtu dhe me programe të veçanta, të cilat janë ujitja me pika, mbrojtja e ullishtave dhe vreshtarisë, duke menduar se Shqipëria ka potenciale të mëdha për rritjen e këtyre prodhimeve bujqësore.
Pyetje: Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë kemi një rritje të kredive të pashlyera, pra të kredive të këqija. E konsideroni shqetësuese këtë?
Petraq Milo: Sigurisht që kreditë e këqija nuk janë të favorshme, por ne duhet të kemi parasysh një fakt, që volumi apo niveli i kredive të këqija në Shqipëri përgjithësisht mbetet në nivele shumë të ulëta, të kontrollueshme dhe unë do të thoja që është nga më të ulëtat në rajon.
Pyetje: Çmund të na thoni lidhur me qëndrimin e FMN-së për sigurimet shoqërore? A do të ulen ato në maj?
Petraq Milo: Marrëdhëniet me FMN janë marrëdhënie negociatash dhe të dy palët janë partnerë. Në një partneritet sigurisht që mendimet dhe sugjerimet merren parasysh, diskutohen dhe debatohen dhe zgjidhet varianti, i cili është më efikas. Ne kemi menduar që ulja e kontributeve shoqërore mund të fillojë nga 1 maji i vitit 2009.
17/11/2008