E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria: Qeveria e re të tregojë kujdes me politikat fiskale

TIRANË- Konfindustria, duke mbështetur parimisht qëllimet e shpallura të programit ekonomik të qeverisë së re, shpreh qëndrimin e saj se mënyrat, mjetet dhe koha e përmbushjes së qëllimeve të sipërpërmendura kanë nevojë sa më shpejt për sqarime të plota dhe profesionale nga përfaqësuesit e ekzekutivit.

Në një deklaratë për mediat, Konfindustria vlerëson se në kushtet kur ekonomia shqiptare, që ka ndjerë ashpër pasojat e krizës globale, do të ketë nevojë të vazhdueshme për tërheqjen e investimeve të huaja, politikat fiskale nxitëse janë të rëndësishme dhe u duhet kushtuar kujdes i vecantë.

'Në këtë kuptim zbatimi në rritje nga niveli i sotëm prej 10% i taksës progresive të parashikuar në programin e qeverisë së re për kompanitë e përcaktuara si të “medha” do të ulte interesin e biznesit të huaj, por edhe vendas për të investuar në Shqipëri. Kjo sepse të gjitha vendet konkurente tona në rajon si Serbia, Maqedonia, Bullgaria, etj. zbatojnë politika fiskale të taksës së sheshte prej 10% ose dhe më të ulët", thuhet në deklaratë.
Konfindustria këshillon qeverinë e re, që taksa progresive më e lartë se 10% në kushtet e sotme ka kuptim të zbatohet për operatorët tregtarë, që punojnë në kushtet e privelegjuara me licenca shtetërore, që u sigurojnë tregje të mbyllura monopol ose oligopol dhe si të tilla njëkohësisht u japin mundësi për norma fitimi më të madhe sesa mesatarja në shkalle vendi.
Sipas Konfindustrisë, në të gjithe rastet e tregjeve të lira dhe konkurenciale zbatimi i taksës progresive në rritje nga kufiri i sotëm prej 10% për bizneset do të kishte pasoja në zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›