Konfirmohet dënimi me burgim për Berluskonin
Gjykata e Lartë në Itali ka konfirmuar një vendim për dënimin me burg të ish- kryeministrit, Silvio Berluskoni për shmangie taksash.
Berluskoni tani përballet ose me arrest shtëpie ose me shërbim në komunitet në vend që të shkojë në burg, për shkak të moshës.
Megjithatë Gjykata e Lartë vendosi që të rishikohet vendimi i dhënë për ndalimin e pjesëmarrjes për pesë vite në poste publike.
Avokatët e Berluskonit kishin kërkuar nga Gjykata e Kasacionit që të hidhte poshtë një vendim që e dënonte Berluskonin me një vit burg dhe ndalim nga jeta politike.
Kur Berluskoni u dënua në tetor të vitit të shkuar, gjykata dha katër vite burg, por ato u reduktuan automatikisht në një sipas një ligji falje të vitit 2006.
Vendimi origjinal thotë se kompania mediatike Mediaset ka ngritur artificialisht çmimin e të drejtave të shpërndarjes së filmave, që të shmangte faturat e larta të taksave.
Berluskoni është etiketuar si autori i të gjithë sistemit të shmangies së taksave.
Ish- kryeministri i Italisë tre herë dhe senator përballet me një seri gjyqesh.
Në apel janë çështje që lidhen me disa raste. Në njërin prej tyre ai është dënuar pasi ka paguar për të bërë seks me një prostitutë minorene, kurse në tjetrin rast ai ka mundësuar që një përgjim policor të dalë në media.
Berluskoni i akuzon gjykatësit e qytetit të tij, Milano, se kanë nisur një hakmarrje kundër tij./BBC