E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikt para gjykatës, vdes ish-polici

Edmond Hoxhaj

Policia dyshon se u godit me grushte, por nuk përjashtohet edhe ndonjë atak në zemër

Edmond Hoxhaj

Konflikti për pronat ka sjellë vdekjen e një ish-polici para derës së Gjykatës në Lushnjë. Vdekja e ish-efektivit të policisë ka ardhur pas një sherri të momentit mes palëve që ishin në gjyq, por policia nuk ka dhënë një konkluzion nëse ka humbur jetën nga goditjet, apo nga ndonjë shkak tjetër shëndetësor. Megjithatë, policia ka shoqëruar palët pjesëmarrëse në konflikt dhe me ndihmën e Mjekësisë Ligjore ka nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë. Babai i dy fëmijëve, 38-vjeçari Arben Sopjani, vdiq, pasi mori pjesë për herë të fundit në seancën e radhës së një gjyqi civil mes familjes së tij dhe familjes Rustami nga fshati Çermë i Rrethit të Lushnjës.

Dy pistat

Sipas burimeve të policisë, ish-efektivi Sopjani është grindur dhe ka debatuar ashpër me vëllezërit Alush e Fatbardh Rustami, ku dyshohet që edhe të jenë qëlluar me njëri-tjetrin. Pak çaste pas nisjes së sherrit, 38-vjeçari Arben Sopjani ka rënë përtokë, duke humbur ndjenjat. Edhe pse ai është transportuar urgjentisht drejt spitalit civil të qytetit Lushnjë, ka ndërruar jetë gjatë rrugës. Trupi i pajetë është dërguar më pas në morgun e qytetit myzeqar, por mjekoligjorët nuk kanë dhënë ende ndonjë konkluzion mbi shkaqet e vdekjes së Sopjanit. Sipas burimeve të policisë, dyshohet se vdekja mund të ketë ardhur si pasojë e ndonjë ataku kardiak, për shkak të rritjes së presionit të gjakut gjatë konfliktit, ose nga ndonjë goditje gjatë konfliktit. Për këtë arsye, mjekoligjorët e Lushnjës kanë kërkuar asistencën e ekspertëve më të specializuar nga Tirana, me qëllim arritjen e një konkluzioni përfundimtar lidhur me shkaqet e vdekjes. Ndërkaq, policia ka shoqëruar dy vëllezërit Rustami, por nuk ka vendosur ndalimin e tyre deri në përfundimin e ekspertizës mjekoligjore.

Zanafilla

Konflikti mes dy familjeve e ka zanafillën e vet nëntë vite me parë, për shkak të rivalitetit për zotërimin e një pike përpunimi inertesh në lumin Shkumbin, në afërsi të zonës së banimit të të dyja palëve. Grindjet dhe debatet për pronësi ka çuar familjet deri në konflikte të ashpra që kanë rrezikuar marrjen e jetëve njerëzore. Në këtë konflikt janë përdorur edhe armët, nga ku ka mbetur i plagosur njëri prej vëllezërve Rustami. Ky i fundit, pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore, është paralizuar për gjithë jetën. Ndërkaq, Prokuroria e Lushnjës akuzoi për këtë plagosje me armë të nëntë viteve më parë, Agim Sopjanin, vëllain e viktimës së djeshme. Ai u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Lushnjë, me tetë vite burgim, që tashmë i ka shlyer.

Seanca gjyqësore

Por familja Rustami i ka kërkuar familjes Sopjani dëmshpërblim për paaftësinë e përhershme të shkaktuar nga plagosja me armë zjarri ndaj djalit të tyre. Ditën e djeshme, para debatit mes palëve, është zhvilluar pikërisht një prej seancave të radhës së këtij gjyqi civil, ku familja Rustami ka paditur Sopjanët. Të dyja palët kanë këmbëngulur në qëndrimin e tyre, ku Rustamët kanë kërkuar pagesën e dëmshpërblimit, ndërsa Sopjanët e kanë kundërshtuar atë.

Para gjykatës

Pas përfundimit të seancës, palët kanë dalë nga salla dhe kanë nisur debatet mes tyre jashtë kangjellave rrethuese të ndërtesës së gjykatës. Ndërsa viktima ka qenë duke ecur në drejtim të rrugicës që të çon nga gjykata drejt godinës së Komisariatit të Policisë që ndodhet aty pranë, ai ka debatuar me vëllezërit Rustami dhe kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin fjalë fyese. Më pas dyshohet që debatet të jenë rënduar deri në përdorimin e mjeteve rrethanore si të gurëve apo goditjet me grushte. Në kohën kur palët dyshohet se janë konfliktuar trup më trup, ka ndodhur edhe ngjarja, që ka shkaktuar vdekjen e 38-vjeçarit Sopjani.

Të shoqëruarit

Burime nga Komisariati i Lushnjës kanë pohuar se kanë shoqëruar në ambientet e komisariatit vëllezërit Rustami, por edhe pjesëtarë nga familja Sopjani. Të dyja palët janë marrë në pyetje për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje. Ndërkaq, deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk ka pasur një konkluzion përfundimtar nga ana e ekspertëve mjeko-ligjorë lidhur me shkaqet e vdekjes. Burime nga policia kanë deklaruar se kanë marrë në ruajtje të dyja familjet për të evituar konflikte të mundshme mes tyre.

Sherri

Arben Sopjani, 28 vjeç, nga fshati Shënpremte i Rrethit të Lushnjës, është grindur me vëllezërit Rustami, me të cilët ka konflikt pronësie

Dëmshpërblimi

Familja Rustami u kërkon Sopjanëve dëmshpërblim për vëllain e tyre të plagosur 9 vite më parë, i cili ka mbetur i paralizuar

Konflikt para gjykatës, vdes ish-polici burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›