E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikti në Shkodër/ Del foto, ky është 24-vjeçari i cili mbeti i vrarë

Personi që shihni në foto është Ylber Luli, 24-vjeçari i cili mbeti i vrarë në një konflikt me armë në Shkodër.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 05:30, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, ku dyshohet se 25-vjeçari Andri Vulaj ka qëlluar me armë zjarri ndaj Lulit dhe babait të tij 63-vjeçar.

Në përleshje, babë e bir dyshohet se kanë plagosur me thikë 25-vjeçarin Vulaj. Të tre personat mbetën të plagosur, ndërsa 24-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në spital.

Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e 25-vjeçarit. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.

Ylber Luli ishte i angazhuar në sektorin e turizmit në Shkodër, ku punonte si udhërrëfyes turistik, duke shoqëruar vizitorë dhe duke promovuar destinacionet turistike të qytetit dhe zonave përreth.

24-vjeçari, pas përfundimit të shkollës së mesme në profilin e kuzhinës, kishte emigruar në Skoci, ku ka qëndruar disa vite, për t’u rikthyer rreth një vit më parë, ku edhe është angazhuar si guidë turistike./abcnews.al

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›