E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konica, qyteti përtej kufirit

Gazeta Shqip

Vetëm pak kilometra larg kufirit shqiptar, Konica, një qytet me gjashtë mijë banorë mbart shumë histori. Në një rrugëtim në monumente të vjetra, gjejmë edhe gjurmë shqiptare, nga Ali Pashë Tepelena dhe Faik Konica

Msc. Dorina Arapi

Dorina Mustafa Arapi

Dorina Mustafa Arapi

Qyteti i vogël i Konicës ndodhet rreth 17 km larg pikës kufitare shqiptare dhe 64 km larg qytetit të Janinës. Sapo largohesh nga pika kufitare e Shqipërisë, për një kohë të shkurtër has nga larg pamjen e një qyteti, i cili shtrihet buzë maleve, ku dallon shtëpitë e bardha të vendosura njëra pas tjetrës e ku perëndimi i diellit ka praruar peizazhin dhe malet kanë marrë ngjyrë umbra e violë. E ndërtuar në 640 m mbi nivelin e detit, Konica vendoset si një gjerdan i rrethuar me pishat e nga vargmalet e Pindit, me një klimë kontinentale e me një natyre të pasur pyjore. Ka shumë shpjegime për prejardhjen e emrit të qytetit, por ende sot nuk ka të dhëna të sakta rreth saj. Pukëvili, historian dhe konsull në oborrin e Ali Pashës, i cili pati udhëtuar gjithë Epirin gjatë periudhës osmane, flet për Antinania, e cila qe shkatërruar disa herë nga pushtimet e hershme barbare. Sapo hyn në qytetin e Konicës, rrugët marrin tatëpjetën, që shpesh një i huaj has vështirësi e lodhje për ti përshkruar, por natyra me qiparisat e lartë e fushat që shtrihen përballë Konicës, të çlodhin mendjen e syrin, duke të dhënë qetësi. Atmosfera e ngrohtë dhe intime e qytetit kontraston me shpatin e malit Tymfi, të cilin e shihja çdo mëngjes nga ballkoni im e më jepte përshtypjen sikur njeriu e kishte skalitur e ku heronj gjigandë kishin lindur këtu. Shtëpitë e gurta duken sikur mbartin një histori shekullore, me një natyrë impresionuese, e cila ka gdhendur dhe karakterin e banorëve.

Shtepia e Faik Konices Pamje e shtepise se Hamkos Kulla e Zeinel Beut Faik Konica Faik Konica Ali Pashe Tepelena Dorina Mustafa Arapi

Konica ka një popullsi pothuajse me 6000 banorë dhe së bashku me rrethinat shkon rreth 9000 banorë. Në shekujt e kaluar ky qytet ka njohur një bashkëjetese të besimit kristian ortodoks dhe të atij islam, ndërkohë që në ditët e sotme popullsia është e tëra ortodokse, me praninë e shumë pak familjeve myslimane. Pozita e saj gjeografike ka vendosur fatin e qytetit, i cili ka qenë një udhëkryq për udhëtarët, ku njëra prej degëve të rrugës Egnatia kalonte në lumin Aoos (Vjosa) e të çonte deri në dalje të Detit Adriatik. Kjo ka bërë që Konica të jetë një ndërthurje e kulturës epirote me atë bizantine e osmane dhe me monumente kulturore të epokave e të besimeve të ndryshme.

Historia e Konicës nis me vendbanuesit e hershëm të kësaj zone, të cilët kanë qenë fiset luftarake molose të Epirit. Studimet dhe gjetjet arkeologjike flasin se gjatë periudhës helenistike, mbreti Pirro ndërtoi në zonat përreth, fortifikime, të cilat u quajtën Kastra pyrrhi. Me krijimin e despotatit të Epirit, ajo u kthye në një zonë të rëndësishme dhe më pas në periudhën e dominimit osman Konica u bë pjesë e Sanxhakut të Janinës. Me ardhjen në pushtet të Ali Pashë Tepelenës, ajo pati një rritje të madhe ekonomike dhe u bë një zonë e rëndësishme e Epirit.

Qyteti është mjaft i pasur me monumente kulturore të ndryshme, ndërtesa të vjetra të arkitekturës epirote, ku dallohen monumente kristiane-ortodokse, si dhe ato që i përkasin familjeve të hershme myslimane. Gjatë qëndrimit tim disa ditor në këtë qytet, pata fatin të shoh shumë prej tyre si: xhaminë e Sulltan Sulejmanit, kishën e Shën Apostujve, shkollën e vjetër Myslimane, urën e vjetër që ngrihet mbi Vjosë e plot të tjera. Falë trashëgimisë kulturore dhe eko-turizmit, Konica mbetet një zonë tërheqëse për turistët, por dhe për studiues të shumtë. Një dëm të konsiderueshëm në dëmtimin e monumenteve dhe të banesave, ka sjellë tërmeti i vitit 1996, ku u dëmtua një pjesë e madhe e tyre,por rreth 70% e tyre janë të rindërtuara.

Një nga veçantitë e këtij qyteti dhe të zonave përreth janë dhe artizanatet e ndryshme, si ajo e punimit të gurit, punimi e gdhendja e drurit, si dhe piktorët e ikonave. Karakteristikë e qytetit janë shtëpitë prej guri të punuar nga vetë punëtorët e qytetit apo të fshatrave përreth. Kjo është një traditë që zgjat prej disa shekujsh. Mastorët ishin mjeshtrit e të gjitha zanateve përgjithësisht, ndër to ishin dhe mjeshtrit e përpunimit të gurit dhe të gdhendjes së tij, të cilët ndërtonin shtëpi e ndërtesa prej guri. Duket se ka qenë një zanat i përhapur në ato zona dhe ndoshta një mundësi fitimi për banorët. Ashtu siç shkruajnë dhe studiuesit, mjeshtrit e gurit përgjithësisht vinin nga vende malore e të varfra, nga Mastrohoriat( zonat përreth Konicës), nga Xhumerka(afër Artës), nga Maqedonia Perëndimore, nga Kolonja e Shqipërisë dhe nga Peloponezi, të cilët u morën me punimin e gurit dhe me ndërtimin e banesave. (Natyra dhe aktiviteti njerëzor, Ministria e Arsimit dhe Besimit fetar, Konicë,2005). Duke qenë se zona e Konicës dhe rrethinat përreth janë të pasura me gur, më parë ka qenë traditë që edhe çatitë e shtëpive të ishin të ndërtuara me rrasa guri. Gjë që e sheh dhe sot e kësaj dite në Konicë. Kjo lloj veçantie lidhet dhe me historikun e saj, si edhe me natyrën. Duke qenë një qytet i rrethuar me male, me një klimë ku dimri është i ftohtë, ndërtimi i shtëpive me gur ka qenë një domosdoshmëri për të përballur acaret e ftohta. Nga ana tjetër, banesat ishin më t

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›