E Enjte, 5 Nëntor 2026

Konsensus në Këshillin e Legjislacionit, vendimi i Kushtetueses për mandatin e Xhaçkës në seancën e 12 shtatorit

TIRANË, 27 gusht/ATSH-Maela Marini/ Mazhoranca dhe opozita ranë sot dakord në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit që çështja për mandatin e deputetes Olta Xhaçka të shqyrtohet në seancën plenare të datës 12 shtator.

Mbledhja nisi me debate, por në fund PS dhe PD dolën me një raport të përbashkët nga mbledhja e këshillit për t’ia përcjellë seancës së parë plenare për sesionin e ri parlamentar.

Raporti kërkon i kërkon kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali që të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhacka”.

Këshilli për Legjislacionin zhvilloi mbledhje jashtë sesionit parlamentar, për të shqyrtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Xhaçka.

Mbledhja e Këshillit për Legjislacionin erdhi pas kërkesës së Partisë Demokratike për të thirrur mbledhjen urgjente të Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme lidhur me vendimin e Kushtetueses për mandatin e Olta Xhaçkës.

Në fillim të mbledhjes, kryetarja e Këshillit të Legjislacionit Dhurata Çupi paraqiti raportin, ku theksoi se “Kuvendi ka detyrimin që të votojë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatën Kushtetuese, si mënyra e vetme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyra e vetme e zgjidhjes së këtij konflikti kompetencash”.

“Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese”, tha Çupi.

Sipas saj, “Kuvendi nuk ka hapësirë për interpretimin e normave kushtetuese, pasi nuk është në pozitat e interpretuesit të parë dhe origjinal të tyre, për sa kohë që për çështjen konkrete është shprehur Gjykata Kushtetuese”.

“Gjykata Kushtetuese në vendimmarrjen e saj ka konstatuar se mocioni i jo më pak se 1/10-ës së deputetëve plotëson kriteret juridiko-formale për vënien e saj në lëvizje nga Kuvendi, ndaj ky i fundit nuk ka pasur hapësirë për të vlerësuar sërish ato”, shtoi Çupi.

Nga ana e saj, deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka propozoi që ky këshill t’i rekomandojë kryetares së Kuvendit përfshirjen në rendin e ditës të seancës më të afërt plenare të projektvendimit.

“Ky këshill duhet t’i propozojë kryetares së Kuvendit ta përfshijë këtë vendim në rendin e ditës së seancës plenare më të afërt, kjo duke ju referuar vetë arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese. Nuk ka munguar ndonjëherë vullneti dhe impenjimi për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk është vënë ndonjëherë në diskutim. Propozimi ynë është që projektvendimi t’i kalojë seancës plenare me arsyetimin që ka vetë Gjykata Kushtetuese”, tha Bushka.

Kryetari i Grupit të PD-së Gazment Bardhi u shpreh në fjalën e vet se mazhoranca ka sfiduar Gjykatën Kushtetuese dhe shtetin ligjor.  Sipas tij, refuzimi i Kuvendit për zbatimin e vendimit të Gjykatës ka çuar në krijimin e një krize kushtetuese që  cenon themelet e shtetit demokratik, humb besimin e publikut tek shteti dhe vendos në diskutim edhe vetë rolin  e Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata Kushteteuse e  detyron Kuvendi e Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të Olta Xhaçka dhe për pasojë Kuvendi ka detyrimin që të votojë menjëherë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatë. Pretendimi i mazhirancës që deputetët janë të lirë të votojnë si të duan është antikushtetuese. Deputetët nuk janë mbi Kushtetutën dhe ligjin”, tha ai.

Këshilli i Legjislacionit, foto: Florian Abazaj 1 nga 6

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›