E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsensus perëndimor për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO

Kryetari i komisionit të senatit amerikan për marrëdhënie me jashtë u bëri thirrje Greqisë dhe Maqedonisë që të zgjidhin mosmarrëveshjen për çështjen e emrit për të mos penguar anëtarësimet e reja në NATO. Xhozef Bajden tha dje në një seancë të komisionit se nëse mosmarrëveshja nuk zgjidhet, kjo nuk duhet të ndikojë te vendimi për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Kroacisë. Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia janë vendet që shpresojnë të marrin ftesën për anëtarësim në samitin e Bukureshtit në prill të këtij viti.   Në seancën e zhvilluar mbrëmë, kreu i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Xhozef Bajden, shprehu bindjen se NATO-ja
duhet t’i hapë dyert çdo vendi që përmbush kriteret e anëtarësimit. “Nga pikëpamja strategjike, anëtarësimi i Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë në NATO do ta sillte Ballkanin më pranë Evropës. Sipas mendimit tim, kjo do të forconte sigurinë rajonale. “Senatori Bajden i bëri thirrje Greqisë dhe Maqedonisë të zgjidhin mosmarrëveshjen në lidhje me emrin e Maqedonisë, e cila përbën pengesën kryesore për anëtarësimin e kësaj të fundit në NATO. Sidoqoftë, tha zoti Bajden, kjo nuk do të thotë se këto tre vende duhet të hyjnë në aleancë si një bllok i vetëm. Secili nga vendet aspiruese duhet të gjykohet në bazë të meritave përkatëse. “Nëse nuk arrihet një marrëveshje mes Greqisë dhe Maqedonisë para samitit të Bukureshtit, ky dështim nuk duhet të ndikojë tek vendimi për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë. ”Senatori republikan Riçard Lugar e mbështeti mendimin e zotit Bajden për ftesën ndaj tre vendeve ballkanike në samitin e Bukureshtit. “Në samit aleanca duhet të ftojë Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë për t’u anëtarësuar në NATO. Secili nga këto vende po punon shumë për të përmbushur kërkesat për anëtarësim”. Senatori Lugar tha se këto vende kanë rëndësi gjeostrategjike për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan. Ato, tha zoti Lugar, kanë treguar përkushtimin e tyre duke kontribuar me trupa në kuadrin e misioneve të aleancës. Zëvendës sekretari amerikan i shtetit për çështjet politike Daniel Frid tha se zgjerimi i NATO-s ka qenë dhe vazhdon të jetë histori suksesi, si në teori ashtu edhe në praktikë. Zoti Frid theksoi kontributin e forcave të NATO-s, përmes KFOR-it, në sigurinë dhe stabilitetin e shtetit të ri të Kosovës. Udhëheqësit e Kosovës, tha ai, po punojnë për rindërtimin e vendit të tyre dhe për bashkëpunimin me pakicat serbe në vend. Ne duhet t’i ndihmojmë vendet e Ballkanit, tha zoti Frid, t’i lënë pas konfliktet e viteve 90 dhe të stabilizojnë dhe demokratizojnë shoqëritë e tyre. “Për ta përfunduar këtë proces, administrata e Shteteve të Bashkuara mbështet fuqishëm aspiratat e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO.” Shqipëria, tha zoti Frid, ka bërë përparim të dukshëm në luftën kundër korrupsionit, në reformën gjyqësore dhe përpjekjet për transparencë në drejtësi. Përveç ndihmës dhe mbështetjes së madhe për qeverinë e Prishtinës, Shqipëria është kontributori më i madh për banor i operacioneve të NATO-s në Afganistan dhe Irak. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po përpiqen të arrijnë një konsensus me vendet e tjera evropiane anëtare të NATO-s për t’i ftuar tre vendet aspiruese të Ballkanit në aleancë. Ёshtë e vështirë, tha Frid, t’u mohosh të drejtën e anëtarësimit demokracive të reja.
Vendet ballkanike, anëtare të NATO-s, mbështetje të plotë Shqipërisë si anëtare e NATO-s/Ministrat e Mbrojtjes të Evropës Juglindore, gjatë takimit të zhvilluar në Sofje, konfirmuan mbështetjen ndaj Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në NATO, gjatë samitit të Bukureshtit, vetëm pas një muaji në Rumani. Në këtë drejtim, ministri grek i Mbrojtjes, Evangelos Meimarakis, u shpreh i palëkundur në mbështetjen që Greqia i jep Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Në këtë takim, të drejtuar nga ministri i Mbrojtjes i Bullgarisë, Veselin Bliznakov, morën pjesë ministrat e Mbrojtjes nga Shqipëria, Bullgaria, Turqia, Greqia, Rumania, Moldavia, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Katsirdakis, Koordinatori Special i Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, etj. Perspektiva europiane dhe euroatlantike e vendeve të rajonit, forcimi i paqes, stabilitetit dhe sigurisë, si dhe forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ishin në qendër të këtij takimi. Ministrat e Mbrojtjes, si dhe përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s vlerësuan arritjet e vendeve të A-3 në realizimin e reformave për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Ndërkaq, nga ana e tij, ministri Mediu vuri në dukje se “Shqipëria vazhdon të kryejë reformat në fushën ushtarake, politike dhe ekonomike, që do të mundësojnë marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO”. Vendet ballkanike, anëtare të NATO-s, si Bullgaria, Rumania, Turqia dhe Greqia u shprehën në mbështetje të plotë të kandidaturës së Shqipërisë si anëtare e re, me të drejta të plota në NATO. Për këtë qëllim, Ministrat e Mbrojtjes së Europës Juglindore nënshkruan një deklaratë ku mbështesin integrimin në NATO, bazuar në perfomancën individuale të tre vendeve të Kartës së Adriatikut, Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, gjatë Samitit të Aleancës në Bukuresht. Ministri shqiptar i Mbrojtjes Fatmir Mediu, zhvilloi takime të veçanta me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë, Meimarakis, të Turqisë, Gonul dhe me përfaqësuesin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Katsirdakis. Në këto takime, u shpreh vlerësimi për arritjet e Shqipërisë në realizimin e reformave drejt anëtarësimit në Aleancë.
Letonia, avokate e Shqipërisë në procesin e integrimit në NATO/Letonia, vendi i parë që ratifikoi MSA-në Shqipëri-BE dhe i pari nga vendet balltike që njohu shtetin e ri të Kosovës, premton se do jetë një avokate e Shqipërisë në procesin e integrimit në NATO. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e mori gjatë vizitës zyrtare dy ditore në Letoni, me ftesë të Kryetarit të Parlamentit të Letonisë, Gundarz Daudze. Vizita e znj. Topalli, duke synuar kryesisht lobimin për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, shënoi edhe vizitën e parë zyrtare të nivelit të lartë në Letoni, vendi me një rritje ekonomike prej 11 përqind e me influencë të madhe në zonë. Në takimin me kryetarin e parlamentit letonez, Topalli u shpreh optimiste për përmbylljen e ratifikimit të MSA-së brenda këtij viti, si dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO gjatë Samitit të ardhshëm të Bukureshtit. “Forcat politike dhe opinioni publik janë në një zë në mbështetje të integrimit të vendit si në BE ashtu edhe në NATO, u shpreh Kryetarja e Kuvendit. "Shqipëria është e vendosur të kapë këtë moment historik dhe t’i japë një shtysë të fuqishme cilësore ecurisë së saj. Të gjitha forcat politike në vend kanë rritur bashkëpunimin, duke krijuar një sistem të qëndrueshëm politik dhe besoj se kjo klimë entuziaste do të ndjekë të gjitha reformat deri në zbatimin e plotë të tyre”, u shpreh znj. Topalli. Ajo e njohu z. Daudze me reformat e ndërmarra nga qeveria e Kuvendi, reforma që, sipas saj, “kanë sjellë një stabilitet makroekonomik dhe forcim të shtetit të së drejtës”. Nga ana e tij, kryetari i parlamentit letonez, shprehu gatishmërinë e Letonisë për të ndihmuar Shqipërinë në proceset integruese. “Ne do të vijojmë mbështetjen tonë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE”, tha ai, duke u shprehur i sigurt se “Shqipëria do të marrë ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit”. Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, Kryetarja Topalli tha se “Kosova e pavarur, e orientuar drejt integrimit euro-atlantik, është zgjidhja më e drejtë dhe më e qëndrueshme, faktor paqeje e stabiliteti për Ballkanin e më gjerë”. Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se marrëveshja për heqjen e taksimit të dyfishtë, nënshkruar së fundmi mes dy vendeve, duhet të pasohet nga të tjera marrëveshje në fushat e ekonomisë, drejtësisë, energjisë, infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë apo turizmit. Kryetarja e Kuvendit u shpreh se nivelit shumë të mirë të marrëdhënieve politike duhet t’i përgjigjet një dinamizim i shkëmbimeve ekonomike. Ajo tha se “Shqipëria mirëpret investitorët letonezë dhe pjesëmarrjen e tyre në privatizime në vendin tonë”. Gjatë kësaj vizite, delegacioni parlamentar shqiptar zhvilloi seanca dëgjimore në komisionin e jashtëm, të mbrojtjes, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›