Konsultime për menaxhimin e tri zonave të mbrojtura natyrore në Gjirokastër

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Hartimi i planeve të menaxhimit për tri zona të mbrojtura natyrore, Parkun Kombëtar “Bredhi i Hotovës–Dangëlli”, Parkun Natyror Zagori dhe Parkun Natyror Bredhi i Sotirës, synon të ndërthurë ruajtjen e biodiversitetit me zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.
Në kuadër të projektit EU4Nature, në Gjirokastër u zhvillua një takim konsultativ me grupet e interesit, për të identifikuar sfidat, nevojat dhe mundësitë që do të merren në konsideratë gjatë hartimit të planeve të menaxhimit.
Sipas organizatorëve, konsultimet synojnë të garantojnë që planet të mbështeten jo vetëm në të dhëna shkencore dhe vlerësime teknike, por edhe të pasqyrojnë njohuritë, përvojat dhe prioritetet e komuniteteve lokale.
Diskutimet përfshijnë përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, zhvillimin e turizmit dhe mundësitë për të nxitur ekonominë vendore, duke ruajtur njëkohësisht pasuritë natyrore dhe biodiversitetin.
Procesi konsultativ do të vijojë në Dropull, me grupet e interesit për Parkun Natyror Zagori dhe Parkun Natyror Bredhi i Sotirës, si dhe në Përmet, me grupet e interesit për Parkun Kombëtar “Bredhi i Hotovës–Dangëlli”.
Projekti “EU4Nature” financohet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), ndërsa zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Agjencia Italiane për Bashkëpunim për Zhvillim (AICS), në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
/e.xh/r.e/a.f/