Konsultimet e fundit të Presidentit për tryezën. PS e PD nisin kontaktet

Negociatat, Topi takon sërish ambasadorët Montobjo dhe Lohan
Selia e Presidentit të Republikës hyn nesër në fazën e dytë të përgatitjes së negociatave mes Berishës dhe Ramës. Sipas burimeve diplomatike, mësohet se të hënën paradite Presidenti i Republikës do të zhvillojë takimin e tretë brenda një kohe të shkurtër me dy diplomatët që përfaqësojnë Bashkimin Europian në Shqipëri: përkatësisht ambasadorin e Spanjës, Manuel Montobio, si dhe kreun e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan. Mësohet se bisedimet e kreut të shtetit me ambasadorët do të zhvillohen për të konsultuar hapat e arritur deri tani në organizimin e tryezës që do t’i jepte fund ngërçit politik në vend. Pasi arritën të marrin “Po”-në e Kryeministrit për të marrë pjesë në takim, ambasadorët e BE-së dhe Presidenti Topi do të bisedojnë për protokollin dhe përmbajtjen e takimit, ku do të diskutohet marrëveshja. Diplomatët europianë marrin pjesë si nxitës të përfundimit të klimës politike konfiktuale, pasi kushti kryesor për Brukselin që Shqipëria të ecë përpara në rrugën e integrimit është që të kapërcejë krizën dhe të arrijë një marrëveshje. Ndërkaq, paralelisht me takimin e presidencës vazhdojnë kontaktet me selitë e partive politike për të përcaktuar modalitetet e tryezës. Kështu, të hënën pasdite apo të martën në mëngjes pritet të ketë një takim midis sy përfaqësuesve të rëndësishëm të Partisë Socialiste, të cilët do të startojnë dialogun undergraund që do të përgatisë tryezën e madhe. Në fillim u fol se përfaqësuesit që kanë zgjedhur liderët janë Astrit Patozi nga Partia Demokratike dhe Fatmir Xhafa nga Partia Socialiste. Por burime në selitë përkatëse bënë të ditur për “Shqip” se negociatorët nuk janë caktuar ende dhe gjithçka do të lëvizë pas sinjalit të Presidentit dhe ndërkombëtarëve. Sipas të gjitha gjasave, takimi i sotëm i Topit me ambasadorët Montobio dhe Lohan do të inaugurojë nisjen e serisë së negociatave. Por një pjesë e mirë e këtyre kontakteve do të jenë joformale, që të sigurohet një sukses në takimin final. Këtë e pati bërë të ditur vetë ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch. Në fakt, si PD-ja, ashtu edhe PS-ja, kanë vënë në lëvizje grupet e ekspertëve për të përgatitur draftet e propozimeve për marrëveshje dhe për t’i dërguar ato në Presidencë. Javën e kaluar, pas takimit të Kryeministrit Berisha me ambasadorët Montobio dhe Lohan, një nga këshilltarët kryesorë të Berishës ka mbërritur në zyrën e Ilir Rusmalit, i cili është dhe kryetari i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Ndërkaq, nga Strasburgu grupi që do të udhëtojë në Shqipëri gjatë dy javëve të ardhshme është në kontakt të përhershëm me Presidentin dhe faktorët politikë dhe diplomatikë për t’u azhornuar me situatën. Reporteri i Këshillit të Europës për Shqipërinë, Jaako Lakkso, deklaroi para pak ditësh se “objektivi ynë kryesor është që, para së gjithash, të parandalojmë acarimin e situatës dhe siç e përmenda, të ndihmojmë për fillimin e një dialogu politik mes forcave politike. Ne kryesisht po mbështesim përpjekjet e Presidentit Topi. Ne mendojmë se ai është ndërmjetësi kryesor dhe të gjithë aktorët e tjerë duhet ta mbështesin Presidentin. Ne mendojmë se do të jetë e nevojshme që të takohemi me përfaqësuesit e partive politike, jo thjesht që ata të kenë mundësinë të na sqarojnë se ku qëndron problemi dhe se çfarë idesh kanë për të gjetur një zgjidhje, por mendoj gjithashtu se duhet të kemi edhe një takim të përbashkët me të gjitha forcat kryesore politike”.
#