E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrolle intensive në Tiranë dhe Krujë, arrestohen 2 persona! Sekuestrohet kokainë, armë dhe një automjet luksoz

Policia e Shtetit ka vijuar kontrollet intensive në terren për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë, duke shtrirë operacionin edhe në rrethin e Krujës.

Gjatë kontrolleve të zhvilluara nga Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, u arrestuan në flagrancë dy persona. Njëri prej tyre u kap me një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, ndërsa tjetri mbante një armë të ftohtë, konkretisht një shufër metalike.

Po ashtu, u shoqërua një shtetas që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa policia sekuestroi automjetin luksoz që ai përdorte.

Kontrollet u zhvilluan në akset kryesore rrugore dhe në zona të ndryshme të Tiranës, si dhe në Fushë-Krujë, Bubq dhe Nikël. Si rezultat, u kontrolluan 87 automjete dhe u verifikuan 118 shtetas.

Policia konstatoi 34 automjete me xhama të errësuar në kundërshtim me Kodin Rrugor, të cilëve iu hoqën xhamat dhe drejtuesit u ndëshkuan me masa administrative. Gjithashtu, për verifikime të mëtejshme u shoqëruan 12 automjete dhe 16 shtetas.

Sipas Policisë, kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje, me fokus goditjen e armëmbajtjes pa leje, posedimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave në kërkim dhe evidentimin e shkeljeve që cenojnë rendin e sigurinë publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›