E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrolle në burgun e Fierit, zbulohen drogë, alkool dhe telefona, nisin hetimet ndaj punonjësve

Fier – Në vijim të informacioneve të siguruara dhe kontrolleve të përbashkëta midis Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB), janë zhvilluar sot kontrolle në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier, me qëllim goditjen e paligjshmërisë brenda sistemit penitenciar.

Gjatë kontrollit, në një prej dhomave të institucionit u gjet një sasi e konsiderueshme pijesh alkoolike, ndërsa në ambiente të përbashkëta u konstatuan disa telefona celularë të ndaluar.

Gjithashtu, gjatë kontrollit personal të një të paraburgosuri, u zbulua një sasi lënde e dyshuar narkotike e fshehur në veshjet e tij personale.

Në përfundim të veprimeve proceduriale në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, OPGJ të AMSEVP kreu arrestimin në flagrancë të dy shtetasve.

Shtetasi I.B. u arrestua pasi dyshohet për veprën penale “Futja dhe mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP”. Ai ndodhet aktualisht në paraburgim për një tjetër çështje penale që lidhet me “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Ndërkohë, shtetasi A.M. u arrestua në flagrancë pasi dyshohet se ka konsumuar elementët e veprave penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh” dhe “Futja dhe mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP”. Ai po vuan një dënim prej 12 vitesh burg për “vrasje me dashje”.

Ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar neni 248 i Kodit Penal, për punonjësit e IEVP Fier:

1- A. H Shefi i policisë në IEVP Fier,

2- N.H Shefi i regjimit te brendshëm ,

3-A M specialist policie,

4-A.M kontrollor

5-O.K kontrollor

6-R.S. kontrollor.

Hetimet dhe veprimet e mëtejshme procedurale po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë Fier.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›