E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrolle për monopatinat në shëtitoret e Durrësit, policia sekuestron disa mjete elektrike

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Policia bashkiake e Durrësit njoftoi sot se në kuadër të masave të ndërmarra për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe pushuesve, si dhe për mbarëvajtjen e qarkullimit në hapësirat publike me fluks të lartë këmbësorësh, ka forcuar kontrollet në terren për zbatimin e ndalimit të qarkullimit të monopatinave dhe mjeteve të tjera elektrike në shëtitore dhe sheshe publike.

Sipas policisë, gjatë kontrolleve të ushtruara në shëtitoren “Taulantia”, strukturat e Policisë Bashkiake kanë sekuestruar disa monopatina dhe kanë vendosur masa administrative me gjobë

“Ndalimi i qarkullimit të monopatinave dhe mjeteve të tjera elektrike zbatohet në: Shëtitoren e Plazhit; Shëtitoren “Taulantia”; Sheshin “Liria”; Shëtitoren tek Shkëmbi i Kavajës; Vala Park; Sheshin “Moikom Zeqo”, në hyrje të Durrësit; Shëtitoren në bregdet, Ishëm”, njoftoi policia bashkiake.

Policia bëri me dije se kontrollet do të vijojnë edhe në shëtitore dhe hapësira të tjera publike të përcaktuara, me qëllim parandalimin e situatave që mund të cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe pushuesve.

Policia bashkiake Durrës kërkon bashkëpunim nga të gjithë qytetarët dhe vizitorët. Respektimi i rregullave është një përgjegjësi e përbashkët dhe një kontribut i drejtpërdrejtë për një qytet më të sigurt, më të qetë dhe më të aksesueshëm për të gjithë.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›