Konvej: Fillimi i tërheqjes inkurajon talibanët

Nga Antoine Blua
Gjenerali James Konvej, komandant i lartë i
Marinës së Shteteve të Bashkuara, ka shprehur shqetësim se korriku i vitit të
ardhshëm, që është afati i presidentit Barak Obama për fillimin e tërheqjes së
trupave amerikane nga Afganistani, po i inkurajon talibanët.
Ai, po ashtu, ka tërhequr vërejtjen se do të duhen edhe disa vite që pjesa
jugore e Afganistanit, të jetë e sigurt aq sa do të mundësohej tërheqja e
pjesëtarëve të ushtrisë amerilkane.
Në një konferencë për shtyp në Uashington, pas vizitës në Afganistan, gjenerali
ka shprehur shqetësim se afati mund ti sinjalizojë talibanët se Shtetet e
Bashkuara po përgatiten për ta ulur intensitetin e luftës.
Në disa mënyra, ne mendojmë se tash me gjasë po u jepet inkurajim armiqve
tanë. Ne mendojmë se armiku mund ti thotë vetvetes se ne vetëm duhet ta mbajmë
situatën sa më gjatë. Këto i kemi dëgjuar me rastin e ndërhyrjes në komunikime,
ka thënë gjenerali amerikan.
Analisti afgan i sigurisë, Amrullah Aman, njëherësh ish-oficer i lartë
ushtarak, është pajtuar me konstatimin se fillimi i tërheqjes i jep moral
armikut.
Pavarësisht të gjitha këtyre komenteve nga vendet evropiane dhe Amerika,
mendoj se ata do ta tërheqin vetëm një numër të vogël të ushtarëve nga
Afganistani. Por, kjo do ta shtojë moralin e armikut dhe do të krijojë një
shtytje të re për rekrutim, ka vlerësuar analisti Aman.
Vlerësimet e gjeneralit Konvej, do ta nxisin debatin lidhur me strategjinë e
presidentit Obama për luftën, duke u dhënë argumente politikanëve amerikanë, që
e kanë kritikuar afatin, të thonë se kjo tregon mungesë të vendosmërisë.
Barak Obama ka thënë se kushtet e sigurisë do të përcaktojnë se sa trupa
amerikane mund të largohen nga Afganistani.
Ai dhe mbështetësit e tij e mbrojnë afatin e përcaktuar si mënyrë për ti
detyruar lidertët afganë, që të veprojnë shpejt për ta marrë përgjegjësinë për
siguri.
Gjenerali Konvej u kishte thënë pjesëtarëve të ushtrisë amerikane në provincat
afgane Helmand dhe Kandahar, se ushtria dhe policia e Afganistanit nuk do të
jenë të gatshme për ta marrë përgjegjësinë nga trupat e jashtme për së paku
disa vjet.
Për këtë arsye, ai ka theksuar se dëshiron ti përgatisë ushtarët për mundësinë
se lufta do të vazhdojë edhe pas afatit të paraparë për 2011.
Sipas gjeneralit Konvej, për moralin e talibanëve, me gjasë, do të jetë goditje
e fuqishme, kur të shohin se në horizont nuk ka tërheqje madhore të forcave të
Shteteve të Bashkuara, të vendosura në pjesën jugore të Afganistanit, ku kishin
dominuar talibanët. /RFE/