Korça shpallet Kryeqyteti Evropian i Sportit 2026, kryebashkiaku Filo: Vlerëson traditën e qytetit, do të organizojmë maratonë për herë të parë

Korça është shpallur Kryeqyteti Evropian i Sportit për vitin 2026. Ky titull do të vendosë Korçën në mesin e 21 qyteteve evropiane që do të udhëzojnë iniciativa dhe aktivitete të rëndësishme sportive në vitin 2026.
Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, tha për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, se ky titull vlerëson traditën e qytetit në sport dhe angazhimin për zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe mbështetjes për aktivitetet sportive.
“Korça ka një traditë historike në sport dhe kemi pasur gjithmonë mbështetje për sportin, jo vetëm për ekipet, por edhe për zhvillimin e aktivitetit sportiv në përgjithësi, si një mënyrë për të promovuar një jetë të shëndetshme, edukimin e brezave të rinj dhe përfshirjen e të gjithëve. Këto ishin disa nga kriteret që e bënë Korçën të fitojë këtë titull,” tha Filo.
Me marrjen e këtij titulli, tha kryebashkiaku, qyteti i Korçës do të kryej investime të mëdha në infrastrukturën sportive.
“Pallati i Sportit është duke kaluar një rikonstruksion të plotë dhe do të modernizohet, për t’u përgatitur për eventet sportive që do të zhvillohen gjatë vitit 2026. Një tjetër projekt që është duke u menduar është edhe organizimi i një maratone në qytet, një ngjarje që nuk ka ndodhur më parë në Korçë. Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të përfshirë më shumë qytetarë në aktivitete fizike dhe për të promovuar sportin si pjesë të jetës së përditshme”, tha Filo.
Korça është një qytet që ka nxjerrë një numër të madh sportistësh të suksesshëm në disiplina të ndryshme dhe ka një komunitet të pasionuar për sportin. Titulli i Kryeqytetit Evropian të Sportit do të jetë një mundësi për të forcuar këtë pasion dhe për të sjellë qytetin në qendër të vëmendjes sportive.
/rtsh.al/