Korçë- Qëlloi me armë nga ballkoni, pas disa orë negociatash RENEA kap autorin

Janë dashur disa orë negociata dhe ndërhyrja e forcave RENEA që të bëhet e mundur kapja e 71-vjeçarit, i cili qëlloi me armë nga ballkoni. Ngjarja ndodhi rreth orës 10.20, ku 71-vjeçar qëlloi me armë nga ballkoni i banesës së tij në lagjen nr. 16 në Korçë.
Nga të shtënat nuk pati të lënduar, ndërsa policia e Korçës nisi negociatat për dorëzimin e 71-vjeçarit, i cili nuk pranon të hapë derën dhe të vetëdorëzohet. Pas ngjarjes policia krijoi perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar banorët e zonës. Gjithashtu në vendngjarje shkuan edhe forcat dhe snajperët e RENEAS, për të ndërhyrë për neutralizimin e 71-vjeçarit.
Gazetari i RTSH, Llazi Saro tha se të shtënat e para krijuan panik te kalimtarët, por që fatmirësisht nuk pati të lënduar. Autori ka qëlluar të paktën 3 herë me armë, ndërsa policia arriti ta kapte pas disa orë negociatash.
Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur arma e zjarrit kallashnikov, me krehër me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Një nga fqinjët e 71-vjeçarit, Markelian Dhimitri ka qenë dëshmitar okular në vendin e ngjarjes. I trembur për familjen e tij, ai rrëfen se u largua nga banesa pasi dëgjoi të shtënat dhe se tani shpreson që policia ta ndalojë autorin.
“Ngjarja ndodhi rrethe orës 10:15 – 10:20, u dëgjuan disa të shtëna, pastaj mora nusen dhe djalin dhe dolëm nga shtëpia, ikëm. Ajo u tremb! Në shtëpi ishim dëgjuam ato të shtënat. Banojmë në të njëjtin pallat, në kat të tretë ngjitur me atë. Po unë tip të qetë e dija, po ai nuk para dilte, ishte tip i mbyllur. Unë kam tre vite që jetoj këtu, nuk njihja më përpara. Nuk e dinim që ishte tip kaq i rrezikshëm. Duhet të ndodhte kjo që ta njihnim, shpresoj që të mbyllet për mirë se nuk kthehemi dot në shtëpi me fëmijët. Presim çdo ndodhi. Tip i qetë më është dukur, më ka ndihmuar dhe për ndonjë gjë nga shtëpia. Skam patur ndonjë problem me të. Ndodhi që shtiu në mëngjes, u trembëm dhe ikëm. Tani nuk mund të kthemi në shtëpi, se kam çupën. Kemi dalë familjarisht jashtë, çupa e vogël është në çerdhe. Jemi të tronditur”, tha ai.
Markeliani thotë se fqinji i tij 71-vjeçar nuk para dilte, por se kishte raste kur edhe shante dhe zihej me banorët kur parkonin makinat para ballkonit të tij.
“Nganjëherë bëhej dhe depresiv kur parkonim makinat përballë ballkonit. Nuk i linte të parkonin, i shante, ofendonte. Kaq, por nuk e dinim që ishte kaq i dhunshëm. Armën e shkrepi në ajër ai, dolëm të gjithë, edhe me këta të klinikës. Pastaj u lajmërua dhe policia. Erdhi policia dhe dolëm në atë kohë”, u shpreh ai.
/rtsh.al/