E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë: Qendra e Kulturës, emërohet drejtori i ri

Galeria e Arteve Figurative në Korçë

KORÇE – Pas pezullimit të drejtorit së qendrës kulturore Vangjush Mio në Korçë, një tjetër artist është caktuar në këtë post. Kryebashkiaku Peleshi ka komanduar kompozitorin Grigor Çani. Kreu i Bashkisë së qytetit juglindor ka firmosur një urdhër ku Çani emërohet si drejtor dhe do të qëndrojë përkohësisht në krye të qendrës kulturore, deri në përfundimin e hetimeve, por edhe gjykimit të Vladimir Topit. Titullari i ri është vendosur pasi ndaj ish-drejtorit Topi u la masa e sigurisë arrest shtëpiak për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me skandalin e zhdukjes së 55 pikturave nga fondi i galerisë Guri Madhi. Çani pritet të nisë punën si epror i Qendrës Kulturore ditën e sotme. Pezullimi i Vladimir Topit ka ardhur nga kryebashkiaku Niko Peleshi, pas masës arrest shtëpie që vendosi Gjykata më datë 26 korrik. Ai u akuzua për shpërdorim detyre nga ana e Gjykatës së Korçës, ndërsa ende nuk dihet fati i 55 pikturave, ku 27 prej tyre i përkasin piktorit të njohur Vangjush Mio. Po ashtu, Gjykata ka lënë në arrest shtëpie për zhdukjen misterioze të pikturave nga fondi i Galerisë së Arteve Figurative në Korçë edhe ish-përgjegjësin e këtij fondi, Sotiraq Xega, po ashtu nën akuzën e shpërdorimit të detyrës gjatë periudhës kur ishte funksionar i këtij institucioni. Sipas burimeve nga Prokuroria e rrethit, ata u morën në pyetje si personat që kanë pasur akses në ambientet ku ishin magazinuar krijimtaritë artistike, qeramikat dhe punimet artizanale të rajonit juglindor.                             dh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›