Korçë, inaugurohet godina e re e Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë. Hasani: Pasqyrë e partneritetit strategjik mes dy vendeve

Sot në Korçë u inaugurua godina e re e Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë, një investim që shënon një moment domethënës në marrëdhëniet dypalëshe.
Në ceremoni morën pjesë Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, Ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgios Gerapetritis, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik, autoriteteve qendrore dhe vendore.
Në fjalën e tij, Ministri Hasani theksoi se ky zhvillim pasqyron përkushtimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
“Ky është një hap konkret në forcimin e pranisë konsullore të Greqisë në Shqipëri dhe një shenjë e qartë e vullnetit tonë për të ndërtuar një marrëdhënie më të hapur dhe konstruktive – të bazuar në respekt të ndërsjellë dhe dialog të rregullt. Kjo ngjarje vjen në një moment me rëndësi për partneritetin tonë strategjik si fqinj dhe aleatë në NATO, në një rajon që ka nevojë për stabilitet dhe koordinim të qëndrueshëm”, u shpreh ministri ndërsa vlerësoi më tej mbështetjen e Greqisë për integrimin evropian të Shqipërisë.
Ai nënvizoi se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dialogu i rregullt janë thelbësore për të adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të ndërtuar besim afatgjatë.
Godina e re e Konsullatës është e vendosur në ish-banesën e Giorgos Seferis – poet, diplomat dhe fitues i Çmimit Nobel – i cili shërbeu në këtë qytet si Konsulli i parë i Greqisë në vitet ’30.
/rtsh.al/